Kasandra Kovaçi e Vllaznise fiton medalje bronzi në Kampionatin Ballkanik të Xhudos në Pejë

Ditën e shtunë, më 13 shtator, në Pejë të Kosovës u zhvillua Kampionati Ballkanik i Xhudos për të Rritur, ku mori pjesë edhe Kombëtarja shqiptare.

Në përbërje të saj ishin edhe tre sportistë nga ekipi i Vllaznisë, ndër të cilët spikati xhudistja Kasandra Kovaçi në kategorinë -63 kg, e cila u ngjit në podium duke u stolisur me medalje bronzi.

Ndërkohë, sportistët e tjerë të Vllaznisë, Krista Kovaçi (-63 kg) dhe Demian Çuni (-90 kg), zhvilluan një paraqitje të mirë duke kaluar turin e parë, por nuk arritën të siguronin medalje.

Vlen të përmendet se motrat Kovaçi prej më shumë se një viti stërviten dhe jetojnë në Pejë, nën drejtimin e mjeshtrit të mirënjohur Driton Kuka, ndërsa mbështetjen më të madhe për këtë rrugëtim e jep familja e tyre.

Po ashtu, ekipi i Judo Vllaznia prej vitesh drejtohet me plot pasion nga mjeshtri Anton Shkoza dhe familja e tij, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në rritjen e brezave të rinj dhe mbajtjen gjallë të kësaj tradite sportive në Shkodër.

Perspektiva e sportistëve është premtuese, ndërsa përvoja e fituar dhe puna e pandalur pritet të sjellin rezultate edhe më të rëndësishme në të ardhmen. Judo Vllaznia, që prej dekadash ka prodhuar talente e cilësi sportive, vijon të jetë një pikë referimi e rëndësishme për këtë disiplinë.

Lajme te tjera

error: Content is protected !!