“Kush ma dënon nipin, do kete plumba” –Edhe xhaxhai tjeter i Elvis Shkambit, kërkon lirimin nga burgu

Gjovalin Shkambi, xhaxhai i 30-vjeçarit Elvis Shkambi, i është drejtuar Gjykatës së Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm në Tiranë, duke kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.

49-vjeçari ndodhet aktualisht në qeli, i akuzuar për veprat penale “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Kanosja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”, pas një deklarate publike që tronditi opinionin publik dhe institucionet e drejtësisë.


Deklarata që çoi në arrestim

Më herët, Gjovalin Shkambi kishte deklaruar publikisht se gjyqtari që do të dënonte nipin e tij do të përballej me të njëjtin fat si gjyqtari Astrit Kalaja, i cili u vra brenda sallës së gjyqit. Kjo deklaratë u konsiderua kërcënim serioz ndaj sistemit të drejtësisë dhe u bë shkak për arrestimin e tij.


Pritet shqyrtimi nga Apeli

Burime nga drejtësia bëjnë me dije se pritet që Gjykata e Apelit të regjistrojë çështjen dhe të shortojë trupën gjykuese që do të shqyrtojë kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj Gjovalin Shkambit.


Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja

Ngjarja e rëndë që tronditi vendin ndodhi më 6 tetor 2025, kur gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua për vdekje brenda sallës së gjyqit nga Elvis Shkambi, pas një vendimi gjyqësor kundër xhaxhait të tij, Gjon Shkambi, në një çështje pronësie.

Sipas hetimeve, Elvis Shkambi hyri në sallën e gjyqit dhe qëlloi tre herë me armë zjarri në drejtim të gjyqtarit, duke e lënë të vdekur në vend.


Dështimi i sigurisë në gjykatë

Hetimet zbuluan se detektori i metaleve kishte sinjalizuar praninë e metalit në momentin kur nipi dhe xhaxhai hynë në ambientet e gjykatës, por roja e sigurisë, Banush Koxhaj, nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për ndalimin apo kontrollin e detajuar.

Ngjarja mbetet një nga rastet më të rënda që ka tronditur sistemin e drejtësisë në vend dhe vijon të jetë në fokus të hetimeve dhe proceseve gjyqësore.

Home » Kronike » “Kush ma dënon nipin, do kete plumba” –Edhe xhaxhai tjeter i Elvis Shkambit, kërkon lirimin nga burgu

Lajme te tjera

error: Content is protected !!