Kroni Pula, fituesja e Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë në Shkodër

TIRANË, 2 qershor/ATSH/ Kroni Pula u shpall fituesja e edicionit të 63-të të Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë në Shkodër.

Artisja fitoi çmimin e parë me këngën “Fruta perime”. Ajo rrëmbeu çmimin e madh për kategorinë “Junior” dhe pritet të përfaqësojë Shqipërinë në Junior Eurovision Song Contest 2025, që do të mbahet në dhjetor në Gjeorgji.

Festivali i Fëmijëve është një ngjarje e rëndësishme kulturore e cila konsiderohet pjesë e trashëgimisë shpirtërore të qytetit dhe solli në skenë pasion dhe krijimtari për tre netë me radhë.

Në dy netët e para garuan 29 pjesëmarrës të kategorive “Të vegjlit” dhe “Junior”.

Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë i shtoi Shkodrës gjallërinë me atmosferën fantastike që krijuan artistët e vegjël brenda dhe jashtë Teatrit “Migjeni”.

Prurjet e këtij edicioni konfirmuan potencialin artistik të fëmijëve pjesëmarrës nga të gjitha trojet shqipfolëse të mbledhur bashkë në ngjarjen kulturore më të rëndësishme të fëmijëve dhe në aktivitetin më jetëgjatë muzikor në Shqipëri. /j.p/

Lajme te tjera