Nëntë kulla karakteristike nga Kukësi, Tropoja dhe Hasi, janë bërë pjesë e Turit të Kullave, që është një model inovativ për të eksploruar atraksionet shqiptare dhe vlerë e shtuar për ofertën turistike të Shqipërisë.
Me mbështetjen e GIZ Albania, kullat janë identifikuar, lidhur me agroturizmet dhe bujtinat e zonës, si dhe mbështetur me pajisje kuzhine profesionale, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e mikpritjes dhe të shërbimeve që ofrohen për vizitorët vendas dhe të huaj. Përveç vizitave kulturore në kullat historike, turi i kullave ofron një gamë përvojash aktive si ecje në shtigje malore, çiklizëm, eksperienca kulinarie etj. Turistët dhe vizitorët e ndryshëm mund t’i bashkohen turit të kullave, lehtësisht duke përdorur aplikacionin Agritourism AL, ku mund të gjejnë të gjitha informacionet dhe mundësitë për rezervim. Kulla e Kurpalëve në Letaj, Has tashmë është restauruar dhe pret vizitorë.
Drejtoria rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bëri të ditur se kjo kullë historike iu nënshtrua rijetëzimit dhe tashmë është e hapur për komunitetin dhe vizitorët. Projekti përbën një hap tjetër për ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore. Kulla e Kurpalëve në Letaj, Has, është monument i veçantë kulture dhe historie, që i përket kategorisë së parë. E ndërtuar rreth 150 vite më parë nga bijtë e Kurpalit, kjo kullë ka mbijetuar kohërat e vështira dhe ruan në gurët e saj një histori të pasur atdhetarie dhe krenarie. Kulla e Kurpalëve ka rifituar shkëlqimin e saj të dikurshëm dhe tashmë është shndërruar në një muze të hapur për të gjithë. Vizitorët kanë mundësinë të njohin nga afër arkitekturën karakteristike të kullës, mënyrën tradicionale të jetesës dhe ngjarjet historike që kjo kullë ka përjetësuar ndër vite.
Me historinë e saj frymëzuese, kulla jo vetëm që dëshmon identitetin kulturor të krahinës së Hasit, por edhe kujton forcën e shpirtit shqiptar për të mbrojtur atdheun. Një pasuri e trashëgimisë sonë kombëtare që mirëpret të gjithë ata që duan të ndihen më pranë historisë dhe traditës shqiptare.
KËSHTJELLAT” SHQIPTARE
Kullat ose minikështjellat e kanë zanafillën që në fundin e shekullit XIV, në kohën e Principatave Arbnore dhe sidomos kur shfaqet rreziku i kërcënimit turk (shek XV). Në trevën e Malësisë ka disa kulla të vjetra. Kullat e Malësisë dikur ishin institucione, respektivisht kuvende të cilat ruajtën gjuhën dhe zakonet shqiptare. Ishin pjesë e historisë sonë të lavdishme krenare e atdhetare , simbole të mbijetesës, besës, e qëndresës. Në fjalorin e gjuhës shqipe, fjala “Kullë” sqarohet kështu: “Shtëpi e lartë prej guri me dy a tri kate, e ndërtuar zakonisht në një vend të ngritur, me dritare të vogla dhe me frëngji, që shërbente si banesë dhe për mbrojtje”.
Jepen edhe disa interpretime të tjera, por në këtë kontekst, pak a shumë ka këtë kuptim të paraqitur. Numri më i madh i kullave në Malësi janë ndërtuar gjatë shekullit XIX dhe në çerekun e parë të shekullit XX. Këto kulla të moçme të malësorëve në masë të madhe nuk janë kulla tipike të mëdha trekatëshe e katërkatëshe, siç janë për shembull kullat e Nikajve, Mërturit, Dukagjinit, Dragobisë, Valbonës, Krasniqes, Gashit, Lumes, Kosovës, Mirditës, Matit, Pukës, Dibrës, Elbasanit, Labërisë, Çermenikës, Gores, Shpatit, Dumresë, Vermoshit, Selcës, Shkrelit, Plavës e Gucisë, Vishnjevës, etj. Këto pasuri të mëdha të Malësisë, si banesa popullore fshatare një ose dykatëshe dallohen nga banesat popullore për karakterin dhe funksionimin e tyre të theksuar mbrojtës. Ato shquhen me arkitekturë autoktone shqiptare. Janë të punuara kryesisht prej gurit të gdhendur. Siç dihet pas humbjes së Gjeneralit Turk Xhavit Pasha ( viti 1909), solli djegien e shkatërrimin e shumë shtëpive e kullave në Has, Bytyq, në Lumë (Bicaj, Nangë. Mamz, Bardhos e Zhur akoma më shkatërrimtar qe sulmi i Shefqet Turgut Pasha e vitit 1910, i cili në shenjë hakmarrje për disfatat e v. 1909 vendosi një shtetrrethim duke masakruar popullsinë e Rrafshit të Dukagjinit, të Malësisë së Gjakovës, të Lumës e të Dibrës. Bashkë me masakrat dogji e shkatërroi me top kullat e këtyre anëve.
Rasti më emblematik ishte dhe goditja me dy topa malorë të Kullës së prijësit nacionalist Baftjar Doda të Recit në Tejmallë (korrik 1910). Ishte kullë katërkatëshe, me një arkitekturë të jashtëzakonshme, në mall rrëzë malit Zepës. Pas dy vitesh radhën për shkatërrimin përfundimtar të kullave në Rrafshin e Dukagjinit, në Malësinë e Gjakovës në Lumë e në Dibër, e patën ushtria barbare Serbo- Sllave. Në vitin 1913 pothuajse e gjithë popullsia e Malësisë Gjakovës u shpërngul nga reprezaljet serbe duke u vendosur në Shkodër. Ndërsa Kullat u shkatërruan tërësisht. Kthimi i popullsisë u bë pas ndërhyrjes së austriakëve qe zëvendësuan prezencën ushtarake serbe në këto anë. Po kështu ndodhi edhe në Lumë e Dibër. Pas Luftës së Dytë me vendosjen e dhunshme të Diktaturës Komuniste në Mirditë, pati dhe djegie e shkatërrime të kullave e objekteve të tjera të kultit. Kështu u dogjën e u hodhën në erë Kullat (sarajet e Derës Princore të Mirditës në Orosh), por dhe e Abacisë dhe e Konviktit të Oroshit.
Tipologjia e arkitekturës ndërtimore ndryshon nga një krahinë në tjetrën, por në përgjithësi të gjithë këto minikështjella (Kulla), kanë elemente të trashëgimisë autentike të kullave mesjetare paraosmane (i përshkruam më sipër). Ndoshta ajo që s’kishte ndryshuar tek shqiptarët etnikë ishte sfida e pasigurisë dhe e mbijetesës së tyre, që në kohët e dyndjeve barbare sllave e më vonë me pushtues të tjerë deri edhe në kohën e barbarisë Turko-Aziatike. Vështirësitë e kohës së pushtimit turk, përveç të këqijave të panumërta, i detyroi shqiptarët e vuajtur të mos heqin dorë nga “kullat, kishat dhe manastiret e tyre të fortifikuara” duke garantuar në këtë mënyrë vazhdimësinë e arkitekturës ndërtimore si pjesë të trashëgimisë autentike –europiane të shqiptarëve.
kONICA.AL