Në ditën e fundit të korrikut, kryeministri Edi Rama mblodhi kabinetin qeveritar, jo për punë, por për t’i çuar ministrat me pushime, duke u lënë takim sërish vetëm në fund të gushtit. Ndërkohë, vendi digjej nga flakët dhe situata e rënduar me zjarret mbajti të lidhur në detyrë vetëm disa ministra, të cilët nuk mund t’i lejonin vetes luksin e plazhit.
Pjesa tjetër e kabinetit, të detyruar të pushojnë brenda vendit, shfrytëzuan ditët e nxehta të gushtit për të marrë rreze në plazhet shqiptare. Si të rinjtë e forumit socialist, ashtu edhe ministrat me përvojë, u kujdesën që të mos mungonin në rrjete sociale, duke publikuar çdo aktivitet, nga lirimi i hapësirave publike deri tek menaxhimi në distancë i situatës me zjarret.
Tradita politike e së majtës e ka lënë gjithmonë gushtin pushim, në pritje të Asamblesë Kombëtare, e cila këtë vit është parashikuar në fund të muajit. Aty, Rama pritet të prezantojë kabinetin “Rama 4”, si edhe ndryshimet në parti dhe grupin parlamentar. Deri atëherë, socialistët janë zhytur në llogaritjet e zakonshme: kush do të shpërblehet me një post qeveritar, sidomos ata që më 11 maj nuk arritën të rinovojnë mandatin e deputetit.
Në panoramën e rotacioneve të shpeshta, spikasin dy emra që e kanë sfiduar kohën: Mirela Kumbaro, me mbi 9 vite në kabinet, dhe Ogerta Manastirliu, me 8 vite rresht. Të dyja, rekordmene të mbijetesës politike në qeverisjen Rama.