“Ky nuk eshte Thethi,me tulla,suvatime e çadra. Ta ruajme…”- Postimi i fundit perpara se te digjej restoranti

Një zjarr i fuqishëm ka shkrumbuar në orët e para të mëngjesit restorantin e njohur të familjes Gjecaj në Theth. Shkaku i zjarrit mbetet ende i paqartë, por dyshimet e para janë për zjarrvënie të qëllimshme, një pistë që nuk është përjashtuar as nga vetë familja.

Pronari i biznesit, Petrit Gjecaj, është oficer i Byrosë Kombëtare të Hetimit pranë SPAK, ndërsa drejtimin e restorantit e mbante bashkëshortja e tij, një nga zërat më aktivë në mbrojtje të identitetit arkitektonik dhe kulturor të Thethit.

Vetëm tre ditë para djegies së restorantit, ajo kishte publikuar një thirrje publike ku denonconte ashpër betonizimin dhe ndërtimet pa kriter që po deformojnë identitetin historik të zonës. Në një mesazh emocional dhe njëherësh kritik, ajo theksonte:

“Nëse e duam Thethin, duhet ta ruajmë që të rritet turizmi…”

Duke folur për rrezikun që i kanoset fshatit nga ndërtime që nuk përputhen me stilin tradicional të Dukagjinit, ajo shprehej:

“Ndërtime me tulla, suvatime moderne, çadra e stane prej dërrase që nuk i përkasin shpirtit të këtij vendi. Këto nuk janë Thethi!”

Në apelin e saj, ajo i kërkonte Bashkisë Shkodër të hartojë një plan urban për mbrojtjen e Thethit si zonë historike, ku lejet të jepen vetëm për projekte që respektojnë arkitekturën me gur dhe stilin e kullës.

“Nëse nuk vendosim sot rregulla të qarta – nesër nuk do të kemi më asgjë për të mbrojtur. Thethi është kulla, jo çadra.”

Djegia e restorantit ka shkaktuar jo vetëm dëm të madh ekonomik për familjen Gjecaj, por ka nxitur edhe reagime të shumta në rrjet, ku shumë banorë e vizitorë të zonës e kanë parë zjarrin si një sinjal alarmi për atë çfarë po ndodh me Thethin në emër të “zhvillimit”.

Hetimet për zjarrin vijojnë, ndërsa familja ka paralajmëruar se do të kërkojë zbardhjen e plotë të ngjarjes. Në mungesë të një reagimi zyrtar nga autoritetet lokale, ky incident shton edhe më shumë shqetësimin mbi presionet që mund të ushtrohen ndaj zërave kritikë në zonat me potencial turistik dhe natyror.

Sikur të mos mjaftonin përplasjet e banorëve me policinë në Theth apo edhe skenat e prishjes së ndërtimeve, imazhit turistik të këtij fshati tashmë i shtohet edhe djegia e restoranteve dhe bujtinave.

Statusi i publikuar
Kliko KETU per te na kontaktuar: WHATSAPP

Lajme te tjera

error: Content is protected !!