Marija, motra që përloti Papa Françeskun – Promovimi i librit në nder të motër Marije Kaletës

Ipeshkvia e Sapës, nën kujdesin e Dom Emiljan Palokës dhe në bashkëpunim me Entin Botues “Gjergj Fishta”, organizoi promovimin e librit “Marija që përloti Papa Françeskun”, kushtuar jetës dhe veprës së motër Marije Kaletës.

Ceremonia u mbajt në Sallën e Ipeshkvisë Sapë, ku morën pjesë meshtarë, motrat Stigmatine, intelektualë të ndryshëm, familjarë dhe bashkëfshatarë të motër Marijes nga Pistulli. Ngjarjen e nderoi me praninë e tij edhe Arqipeshkvi i Shkodër–Pultit, Imzot Giovanni Peragine.

Dom Emiljan Paloka e përshkroi librin si një vepër të thjeshtë por me mesazh të thellë, ashtu si vetë motër Marija – modeste dhe e përvujtë. Botimi u realizua me iniciativën e Bariut të Sapës, Imzot Simon Kulli, dhe me autor Frano Kullin.

Imzot Kulli theksoi se ky libër është një homazh i përulur për motër Marijen, të cilën e cilësoi “një trup të vogël me një zemër të madhe”, që ndau fenë me breza të tërë edhe në kohë të vështira kur besimi ishte i ndaluar.

Autori Frano Kulli u shpreh se kjo vepër është një rekuiem dhe lutje kushtuar një figure të jashtëzakonshme, që gjithë jetën ia përkushtoi Zotit dhe nuk u dorëzua përballë diktaturës.

Motër Dukata Radoja, Zv. Gjeneralja e Motrave Stigmatine, kujtoi se në vitin 1991, në nder të motër Marijes, u hap bashkësia e Motrave Stigmatine në Pistull, pikërisht në shtëpinë e saj. Ajo ndau me të pranishmit kujtime të paharrueshme nga vitet që jetoi pranë motër Marijes.

Në libër gjenden gjithashtu shkrime për martirin e fesë, dom Ndoc Suma, axha i motër Marijes. Gjatë promovimit u prezantua edhe Kelku i Shenjtë me të cilin ai kremtoi Meshën e Shenjtë në burg, si dhe kutia e duhanit e gdhendur me vuajtjet e tij.

Ky botim përmbledh rrëfime të jetës dhe trashëgimisë shpirtërore të motër Marijes, duke sjellë para lexuesve kujtesën e thjeshtësisë së saj. Apostullati i thjeshtësisë, që përfaqëson thelbin e mirësisë, mbetet mesazhi i saj i pavdekshëm.

✍️ Violeta Marashi

KUSH ISHTE MOTËR MARIA KALETA
Ajo i përkiste Urdhërit të Murgeshave Stigmatine – e cila së bashku me Kardinalin e sotëm shqiptar, Ernest Simonin, e bëri të përlotej Papën Françesku gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 2014. Maria Kaleta ka lindur më 10 nëntor 1929, në Nënshat të Zadrimës, Shkodër, nga prindërit Engjëll e Shuke Kaleta. Së bashku me prindërit, u zhvendos më vonë në fshatin Pistull, ku shkolla vendore mban sot edhe emrin e Marie Kaletës. Emri i saj, në mos për dëshminë personale — sado që edhe ajo është një dëshmi e fuqishme — është i lidhur me dëshmitë e martirizimit të klerit katolik gjatë komunizmit, pasi motër Kaleta, apo halla Marie, siç e quanin të gjithë për respekt, ishte e mbesa e dom Ndoc Sumës, i lum martir, viktimë e komunizmit. Në moshën 10-vjeçare, ajo hyri në Kuvendin e Motrave Stigmatine në Nënshat të Zadrimës e pas një viti, pasi i bindi të gjithë për dëshirën e patundur të saj për t’u bërë murgeshë, pavarësisht nga mosha e njomë, më 11 dhjetor të vitit 1940 e çuan në Kuvendin e Stigmatineve në Shkodër.  Aty jetoi 7 vite, deri më 1946, kur komunistët e sapoardhur në pushtet në Shqipëri, i nxorrën motrat nga Kuvendi, sepse Zoti ishte për ta tepër i rrezikshëm duke ia mbyllur edhe Perëndisë portat e Shqipërisë, mendonin ata, një herë e përgjithmonë. Por jo edhe portat e zemrës.


Sipas Radio Vatikanit, murgesha shqiptare Marie Kaleta edhe nën regjimin komunist vazhdoi të mbetej motër stigmatime duke fshehur fenë dhe besimin e saj në të vetmin Zot, të cilin e Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës e kishte shpallur ilegal në Shqipëri, duke u mbështetur tek ata pak njerëz që e mbrojtën dhe nuk e paditën as nuk e dorëzuan tek xhelatët e regjimit komunist. Ja edhe dëshmia e Marie Kaletës – rrëfimi i të cilës, për vuajtjet e Kishës Katolike Shqiptare në kohën e komunizmit — që përloti Papën Françesku gjatë vizitës së tij në Shqipëri në Shtator të vitit 2014, sipas Radio Vatikanit në gjuhën shqipe:
“Zoti me mbajti me një fe aq të gjallë saqë më shtynte t’ua dhuroja edhe të tjerëve duke pagëzu, jo vetëm fëmijtë e fshatit, por edhe të gjithë ata të cilët më kanë ardhë në derë kur kisha sigurinë se, nuk do të më padisnin.  Ka shumë ngjarje që më kanë shoqëru përgjatë këtyre viteve kur publikisht ishte e ndaluar të shfaqje besimin. Me thjeshtësinë e zemrës po ju tregoj një ngjarje. Isha tuj u kthy për në shpi nga puna e kooperativës.  Gjatë rrugës dëgjoj një zâ që më thërriste. Një grua me një fëmijë në krah më arriti me vrapin e saj. Kërkesa e saj ishte më i pagëzu foshnjën, që mbante në krah. Nga frika, pasi që e dija se ajo ishte gruaja e një komunisti, i them se nuk kam me ça ta pagëzoj, pasi që jemi në mes të rrugës. Ajo, nga dëshira e madhe që kishte, më thotë se kanali përbri ka ujë. Unë i them se nuk kam me ça ta nxjerr atë ujë. Ajo vazhdonte të më lutej për pagëzimin e vajzës. Unë, duke pa fenë e saj, hoqa opangën prej llastiku që kisha veshë. Me ‘të nxora ujë prej kanalit dhe e pagëzova.  Falë njohjes së meshtarëve kam pasë fatin të mbaj në një komodinë të Shenjtnueshmin Sakrament, kështu për raste të njerzve të sëmurë që dergjeshin në shtratin e vdekjes. Kam kryer shërbimet e fesë, nuk e di se si, në fakt sot kur e mendoj, më duket e pabesueshme, si kemi duru ato vuajtje të tmerrshme, por them me plot bindje se i madhi Zot na ka dhanë forcën, durimin dhe shpresën. Ashtu sikurse me egjrën e shëmbëlltyrës Zoti “priti” pjekjen e plotë para se ta shkulte nga gruni.  Edhe pse koha qe e gjatë dhe puna e kooperativës tepër e vështirë, prapseprap Zoti atyre që i thërret ua jep forcën e vet. Në fakt, në fund ai m’i shpërbleu të gjitha vuajtjet e mia edhe këtu në tokë.  Mbas sa viteve të regjimit u rihap Kisha e unë pata fatin me u gjetë si rregulltare, fat të cilin për sa vite e dëshirova sikurse të gjithë meshtarët e murgeshat e vendit tonë”.
Në një bisedё në vitin 2012 — me Dom David Xhuxha, Drejtor i programit shqip të Radio Vatikanit — motёr Maria Kaleta ka rrёfyer jetёn e saj, ka folur për vuajtjet e besimtarёve, tё klerit katolik dhe tё motrave rregulltare nën regjimin e egër komunist të Enver Hoxhës.  Ishte shoqe me martiren të Lumen Marija Tuci, që ka vdekur nga torturat më të tmerrshme në kohën e regjimit komunist në Shqipëri, duke u bërë kështu e vetmja femër që renditet në mesin e 40-të martirëve të parë të Kishës Katolike Shqiptare.  Sipas Radio Vatikanit, kjo dëshmi e murgeshës Marie Kaletës për vuajtjet e Kishës dhe të mbarë popullit shqiptar nën regjimin komunist, është një thesar i përbashkët, tejet i çmuar, për kujtesën e përhershme që, “të mos harrohet e kaluara, por të shikohet e të ndërtohet me guxim e ardhmja”, sikur pat porositur Shën Gjon Pali II gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 1993. Porosia e Papa Gjon Palit të II në atë kohë, “që të mos harrohet e kaluara”, si dhe dëshmia e murgeshës shqiptare stigmatine, motër Marie Kaleta, e cila me rrëfimin e saj për vuajtjet e Kishës dhe të popullit shqiptar nën komunizëm, e përloti edhe vetë Papen Françeskun në Katedralen e Shën Palit në Tiranë më 2014 – janë një këmbanë që ende bie – në veshë të shurdhër — për të zgjuar ndërgjegjen morale dhe njerëzore të klasës politike, “post-komuniste” shqiptare, por edhe tek përfaqsuesit e demorkacive perndimore në Tiranë, të cilët refuzojnë të promovojnë një qeverisje dhe një shoqëri më tolerante për Shqipërinë dhe për shqiptarët pa dallim.
Siç dihet, edhe sot tre dekada pas shembjes së Murit të Berlinit — ndryshe nga vendet e tjera të Evropës ish-komuniste – Shqipëria refuzon të dënojë zyrtarisht krimet e komunizmit enverist dhe refuzon gjithnjë të përballet me të kaluarën e errët të asaj periudhe.  Siç e kam venë në duklje shpeshëherë në të kaluarën, diplomatët perëndimorë në Tiranë — me heshtjen e tyre në lidhje me këtë çeshtje — vazhdojnë të kenë një njollë të zezë në fytyrat e tyre, për vetën dhe për vendet që ata përfaqësojnë.
Vura re në portalin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, njoftimin me një ekzaltim krenar e të papërmbajtur, “Urime Shqipërisë për një arritje të jashtëzakonshme, fillimin e anëtarësimit të saj në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për herë të parë në histori”.  “Arritje e jashtzakonshme”?!, mos u tallni! Shqipëria nuk kishte as një shtet konkurent, asnjë vend pra nga zona gjeografike që përfaqëson Shqipëria në Këshillin e Sigurimit për dy vitet e arddhëshme, që të ishte i interesuar për atë “arritje të jashtzakonshme”. Pasi vetëm Shqipëria ishte e interesuar nga zona e Evropës jug-lindore, nuk kishte se sit ë mos votohej, por ky është një subjekt për një shkrim tjetër, ndoshta.
“Arritje e jashtzakonshme”, për Shqipërinë do të ishte njohja zyrtare e krimeve të komunizmit në Shqipëri dhe përballja me ndërgjegjësi morale me të kaluarën komuniste, ashtu siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste, sot anëtare të Bashkimit Evrpian dhe NATO-s, ashtuqë të mos harrohet e kaluara, siç ka porositur edhe Papa Gjon Pali II në vizitën e tij në Shqipëri, më 1993.  Normalisht, edhe në politikën e jashtme dhe në diplomaci do duhej të kishte përgjegjësi dhe ndërgjegjësim moral dhe etik.

Lajme te tjera

error: Content is protected !!