Një 82-vjeçar nga lagjja “Qemal Stafa” në qytetin e Shkodrës denoncon veprimet arbitrare të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) të Bashkisë Shkodër, të cilët i kanë shembur çatinë e banesës pa asnjë paralajmërim apo vendim zyrtar.
Agim Rroshkodol, pronar i banesës, thotë se ndërhyri në çatinë e shtëpisë së tij para një viti, për ta rikonstruktuar – pa ndryshuar strukturën apo përmasat ekzistuese. Sipas tij, punimet ishin vetëm restauruese dhe nuk preknin asnjë aspekt urbanistik të godinës.
“E bëra vetë çatinë, me paratë e mia, nuk ndryshova asgjë. Ishte e njëjta çati, thjesht e riparova sepse kishte rrjedhje. Tani më kanë prishur gjithçka dhe më lanë në mëshirë të fatit. U kërkova vendimin e prishjes, por nuk më dhanë asnjë letër. Kam të gjitha dokumentet që vërtetojnë se banesa është e imja,” shprehet i revoltuar Rroshkodoli.
Ai akuzon Bashkinë Shkodër dhe strukturat e IMT-së për veprime të njëanshme dhe pa transparencë, ndërsa kërkon drejtësi dhe rimbursim për dëmet e shkaktuara.
Ngjarja ka shkaktuar reagime edhe në komunitet, ku fqinjët shprehen të shqetësuar për mënyrën se si ndërhyn autoriteti lokal, pa sqarim apo paralajmërim.
Pavarësisht kërkesave të përsëritura, i moshuari thotë se nuk ka marrë asnjë shpjegim zyrtar përse u mor ky vendim drastik, duke e lënë atë pa mbrojtje në moshë të thyer.
Bashkia Shkodër dhe IMT deri në momentin e publikimit të këtij lajmi nuk kanë dhënë një reagim zyrtar.