Një skenë e pazakontë dhe emocionale është zhvilluar sot përpara godinës së Departamentit Amerikan të Shtetit në Uashington, ku dhjetëra punonjës të sapo larguar nga detyra u panë teksa dilnin mes lotësh, me kutitë e sendeve personale në duar.
Kjo situatë pason njoftimin zyrtar të bërë një ditë më parë, ku në zbatim të një urdhri të Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, është nisur një riorganizim i thellë që ka rezultuar në shkarkimin e mbi 1.300 punonjësve.
Atmosfera e rënduar u shoqërua me protesta spontane dhe emocione të forta, ku ra në sy edhe prania e ish-ambasadores amerikane në Shqipëri, Yuri Kim. Ajo iu bashkua punonjësve të pushuar përballë ndërtesës, duke i përqafuar dhe ngushëlluar në trotuar.
“Është një ditë e trishtë për Shërbimin e Jashtëm dhe për të gjithë ne që kemi shërbyer në këtë institucion me përkushtim”, është shprehur Kim, mes duartrokitjeve të të pranishmëve që e përshëndetën me mirënjohje.
Qindra ish-punonjës dhe mbështetës të tyre mbanin pankarta ku dënohej vendimi, të cilin ata e cilësojnë si një “spastrim politik” nga administrata e Trump. Largimet janë shoqëruar me përqafime, lot dhe pasiguri për të ardhmen.
Ky është një nga riorganizimet më të mëdha të regjistruara ndonjëherë në Departamentin e Shtetit, dhe ka ngjallur reagime të forta si brenda radhëve të diplomacisë, ashtu edhe në opinionin publik amerikan.