Në fjalën e tij, Vengu u shpreh se, “Karta e Adriatikut ka lindur nga një vizion bashkëpunimi, stabiliteti dhe fati i përbashkët euro-atlantik”.
“Parimet e saj mbeten të pandryshuara, por në një mjedis strategjik që ndryshon me shpejtësi ne duhet të përshtatemi dhe të ripërtërijmë misionin e saj”, tha Vengu.
Për Shqipërinë, shtoi ministri, “Karta nuk është thjesht një iniciativë tjetër rajonale, pasi kemi shumë, por është një nxitës i bashkëpunimit praktik dhe qëndrueshmërisë kolektive”.
Vengu theksoi se, pjesëmarrja e SHBA e bën një iniciativë shumë të rëndësishme.
“Vendimet e marra në Samitin e Hagës na japin një mundësi unike për të marrë përsipër më shumë përgjegjësi, për sigurinë tonë rajonale dhe për të marrë përsipër më shumë përgjegjësi brenda NATO-s dhe BE-së”, u shpreh Vengu.
Ministri nënvizoi se, për të mbetur të rëndësishëm dhe të besueshëm duhet të veprojmë me vendosmëri në 5 fusha kyçe.
“Rritja e burimeve financiare për buxhetet tona të mbrojtjes. Zgjerimi i industrisë tonë të mbrojtjes dhe të prodhimit ushtarak. Modernizim i Forcave tona të Armatosura. Investimi i në infrastrukturën kritike dhe kapaciteti i vendeve pritës për të forcuar qëndrueshmërinë. Dhe forcimi i ndërveprimit me aleatët dhe partnerët përmes trajnimeve dhe operacioneve”, tha vëngu.
Ministri theksoi se, “Shqipëria po ecën me vendosmëri në këtë rrugë duke rritur shpenzimet e mbrojtjes, duke rigjallëruar bazat tona industriale, duke investuar në infrastrukturë në përputhje me prioritetet e NATO-s dhe të BE-së”.
“Qëllimi ynë është ta pozicionojmë Shqipërinë si një qendër të besueshme për industrinë e mbrojtjes, zinxhirët e furnizimit, lidhshmërinë dhe ndërveprimin ushtarak, lëvizshmërinë ushtarake në të gjithë Evropën Juglindore dhe rajonin e Adriatikut dhe në hapësirën me rëndësi të pamohueshme strategjike për sigurinë atlantike”, tha ai.
Në këtë kontekst, shtoi Vengu, “besojmë se NATO dhe BE-ja duhet të mbështesin vendosmërinë politike, vigjilencën strategjike dhe angazhimin ushtarak në rajonin tonë”.
“Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj pajtimit, stabilitetit dhe bashkëpunimit dhe kjo është arsyeja sepse rreth 500 trupa tona në misionet tona të NATO-s dhe BE-së janë të dislokuara në KFOR, në ALTHEA. Ndërsa kontributet tona në Letoni dhe Bullgari sinjalizojnë se ne i marrim seriozisht edhe kërcënimet në krahun lindor të NATO-s”, tha Vengu.
Sa i përket Ukrainës, ministri shtoi se, Shqipëria do të vazhdojë mbështetjen politike dhe kontributet ushtarake.