Hedije Çaushi, 82 vjeçe, është një nga 65 të moshuarit që prej më shumë se shtatë vitesh jeton në shtëpinë e të moshuarve në Shkodër. Nga ky institucion, ajo drejton një apel të ndjerë ndaj të rinjve shqiptarë: mos braktisni prindërit për shkak të emigracionit.
E moshuara thekson se kujdesi ndaj prindërve duhet të jetë më i madh në këto kohë të vështira, ku gjithnjë e më shumë familje i largohen vendit në kërkim të një jete më të mirë jashtë. Por, për shumë të moshuar, kjo do të thotë vetmi dhe harresë.
“Ka raste që familjarët nuk kujtohen për të afërmit e tyre as kur ndërrojnë jetë këtu,” – thotë znj. Çaushi me dhimbje, duke shtuar se koha ka ndryshuar shumë sa i përket përkujdesjes dhe dashurisë ndaj prindërve në moshë të thyer.
Shtëpia e të moshuarve në Shkodër funksionon me kapacitet të plotë – aktualisht janë 65 banorë – ndërsa kërkesat për strehim janë në rritje nga viti në vit, një tregues i qartë i ndryshimeve sociale dhe emigrimit masiv që po boshatis familjet shqiptare.


