Prefektura e Qarkut Shkodër ka bërë të ditur informacionin e përditësuar të orës 08:30 mbi situatën e motit dhe gjendjen në territor.
Bashkia Shkodër
Si pasojë e reshjeve të ditëve të fundit është evidentuar një shembje e rrugës në aksin Ura e Shtrenjtë–Prekal, në vendin e quajtur “Shkallë Logje”.
Autoritetet kanë vendosur sinjalistikën përkatëse dhe aksi është bllokuar për qarkullim me qëllim shmangien e çdo rreziku për drejtuesit e mjeteve. Aktualisht po kryhet vlerësimi i dëmtimit dhe po punohet për normalizimin e situatës.
Ndërkohë, borëpastrueset kanë qenë gjatë gjithë natës në punë për mbajtjen e hapur të aksit Qafë Thore–Theth.
Bashkia Malësi e Madhe
Në territorin e kësaj bashkie reshjet kanë pushuar. Tre borëpastruese ndodhen në aksin Tamarë–Vermosh, ku ka prani ngricash. Vijon kriposja dhe mirëmbajtja e rrugës për të garantuar lëvizjen e automjeteve.
Bashkia Vau i Dejës
Edhe në këtë bashki reshjet e shiut janë ndërprerë. Në disa njësi administrative janë shënuar shkëputje të energjisë elektrike, ndërsa grupet e punës janë në terren për riparimin e defekteve.
Bashkia Fushë-Arrëz
Në zonë vijojnë reshje shiu me intensitet të lartë. Janë shënuar rënie gurësh dhe dherash në rrugët rurale, por akset janë të kalueshme dhe qarkullimi vijon normalisht.
Bashkia Pukë
Reshjet e shiut dhe era e fortë vijojnë, megjithatë deri në këto momente nuk raportohen problematika të theksuara.
DRUK Lezhë
Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar rreth 85 mm reshje shiu. Aktualisht nuk ka probleme në kanalet kulluese, argjinatura dhe digën e Rezervuarit të Shkodrës.
Nivelet e lumenjve Buna, Drin, Kir, Gjadër si dhe të Rezervuarit të Shkodrës janë nën kuotat e rrezikut për përmbytje.
Hidrovoret e Velipojës, konkretisht ato të Vilunit dhe Çasit, janë në funksion të plotë dhe në gatishmëri për të punuar me kapacitet maksimal në rast nevoje.
Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës në mënyrë të pandërprerë, ndërsa u bëhet thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes në lëvizje, veçanërisht në akset malore dhe zonat me rrezik rrëshqitjeje.


