Muzika e autobusëve – ferr i udhëtimit apo pasaportë kulturore?
Autobusët e linjave të gjata, sidomos ata që lidhin Shqipninë me Kosovën, janë përplot çdo ditë me qytetarë vendas e të huej. Me nji llogaritje të thjeshtë, qindra vetë udhëtojnë përditë nëpër këto linja, tue u ba kështu pjesë e një fluksi të gjallë njerëzish që bartin jo vetëm bagazhe, por edhe përvoja.
Për çudinë e madhe, udhëtimi shpesh shndërrohet në ferr akustik. Altoparlantët e autobusëve buçasin me një zhurmë që vështirë me e quejtë muzikë, tue ia imponue udhëtarit shijet e shoferit apo agjencisë. Në vend që ky udhëtim të përcillet prej një përzgjedhje dinjitoze, që të prezantojë kulturën tonë të pasun muzikore, shpesh shndërrohet në një “koncert lëvizës” prej tallavash, këngësh vajtuese e banalitetesh që nuk kanë asnjë vlerë artistike.
E mendoni çka sheh një i huej që për herë të parë hyn në një autobus për Kosovë apo Shqipni? Përballë panoramës së bukur që kalon jashtë xhamit, përbrenda i serviret një atmosferë që jo vetëm nuk përfaqëson shpirtin kulturor të vendit, por e zvetnon. Për shumë udhëtarë të tjerë – studentë, punëtorë, familjarë – udhëtimi 3-4 orësh kthehet në një torturë të padëshiruar.
Në vendin tonë nuk mungojnë kompozitorë, poetë, muzikantë që kanë sjellë art të vërtetë. Nuk mungojnë as arkiva muzikore e as repertore që mund të jenë një pasaportë e hijshme për kulturën tonë. Por mungon vullneti për me vendosë një standard minimal.
A nuk duhet që Ministria e Kulturës, bashkë me institucionet vendore, të mendojnë rregulla për këtë hapësirë publike të lëvizshme, ku kalojnë çdo javë me mijëra udhëtarë? A nuk do të ishte më e udhës që muzika në autobusë të jetë pjesë e një edukimi kulturor, jo një imponim shurdhues që na rrezikon shijet, kujtimet e deri dinjitetin si shoqëri?
Sepse kultura nuk jeton vetëm në skena teatri e salla koncertesh. Ajo përfaqësohet edhe në gjërat e vogla, në ato që ndodhin çdo ditë – madje edhe në një udhëtim me autobus.
Nga Rozafa Shpuza
