Në zemër të qytetit, ku banorët presin të gëzojnë qetësinë e mbrëmjes pas një dite të lodhshme, muzika me volum të lartë është kthyer në një makth të përnatshëm. Shumë qytetarë, veçanërisht ata që banojnë pranë lokaleve, po përballen me mungesë gjumi, stres dhe shqetësime serioze shëndetësore për shkak të mungesës së rregullave dhe të kontrollit mbi ndotjen akustike. Një qytetare që banon ne “Pedonale” në qendër të qytetit, ka ngritur alarmin publikisht, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga Bashkia dhe institucionet përgjegjëse.
Ja si përshkruan ajo situatën që prej muajsh ka kthyer natën në një sfidë për të gjithë banorët e zonës:

Thirrje për Bashkinë dhe për të gjithë qytetarët që jetojnë në qendër të qytetit
Përballë shtëpisë time ndodhet lokali (xxx per shkaqe etike dhe ligjore nuk ia publikojme emrin”), i cili çdo natë luan muzikë popullore me volum shumë të lartë deri në orën 00:00.
Gjatë verës është bërë e pamundur të flejmë. Çdo mbrëmje duket sikur na bie çekiçi në kokë nga muzika e pandalshme. Përveç mungesës së gjumit që po përjetojmë ne të gjithë, kemi edhe persona të moshuar e problematika shendeti në shtëpi, të cilët kanë nevojë për qetësi dhe pushim. Kjo situatë është bërë e padurueshme.
Bashkia duhet të ndërhyjë urgjentisht!
Nuk është e pranueshme që interesi i një biznesi të rëndojë mbi shëndetin dhe mirëqenien e banorëve të një zone të tërë. Në çdo qytet europian ka rregulla për nivelin e zhurmës në zona rezidenciale — dhe këto duhet të zbatohen edhe këtu.
Kërkoj që Bashkia të:
rishikojë orarin e lejuar për muzikën e lartë në këtë zonë
vendosë kufij të qartë për volumin (dB) të lejuar gjatë mbrëmjes/natës
monitorojë situatën në lokalin (xxx per shkaqe etike dhe ligjore nuk ia publikojme emrin”) dhe të marrë masa konkrete për respektimin e ligjit
Ne kemi të drejtë për gjumë të qetë, për shëndet dhe për një jetesë normale në shtëpitë tona.”