Ndeshja Shqipëri-Serbi/ Policia njofton akset që do të bllokohen, paralajmëron tifozët: Deri në 5 vite burg për këto shkelje në stadium!

Policia e Shtetit merr masa të shtuara sigurie për ndeshjen Shqipëri–Serbi, më 7 qershor në “Arena Kombëtare”

Tiranë, 5 qershor 2025 – Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash të posaçëm për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, me rastin e zhvillimit të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit Shqipëri–Serbi, e cila do të luhet më 7 qershor 2025, në orën 20:45, në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë.

Në planin e masave janë përfshirë detyra specifike për të gjitha strukturat e Policisë, që synojnë ruajtjen e rendit përpara, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes. Disa nga masat përfshijnë:

  • Eskortimin dhe sigurimin e ekipeve kombëtare të Shqipërisë dhe Serbisë;
  • Kontrolle të imtësishme brenda dhe jashtë stadiumit për persona të paautorizuar dhe sende të ndaluara;
  • Organizimin e shërbimeve të rendit në gjithë qytetin e Tiranës;
  • Sigurimin e rrugëve të emergjencës dhe menaxhimin e trafikut rrugor.

Kufizime të qarkullimit do të aplikohen nga ora 15:00 e datës 7 qershor deri në përfundim të ndeshjes, në këto akse rrugore: bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rruga “Papa Gjon Pali II”, “Dervish Hima”, “Asim Zeneli”, “Themistokli Gërmenji”, “Gjergj Filipi”, “Lekë Dukagjini”, “Faik Konica” dhe “Skerdilajd Llagami”.

Parkimi i tifozëve do të bëhet sipas destinacionit:

  • Nga Korça/Elbasani: autobusa te lokali “Kalvin”, autovetura pranë qytetit “Studenti”;
  • Nga veriu/jugu: autobusa te Terminali pranë mbikalimit të Kamzës, autovetura te “Asllan Rusi”, sheshi “Skënderbej” dhe “Bulevardi i Ri”.

Kontrolle të rrepta do të ushtrohen ndaj tifozëve para hyrjes në stadium, për të ndaluar futjen e fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, banderolave me përmbajtje raciste, apo sendeve të forta.

Dronët ndalohen rreptësisht në perimetrin e stadiumit. Çdo tentativë për ngritje do të neutralizohet nga pajisjet anti-dron të Policisë.

Policia apelon për disiplinë dhe respektim të ligjit: sipas Kodit Penal, veprimet e dhunshme, futja e paautorizuar në fushë, përdorimi i mjeteve piroteknike apo agresioni ndaj aktorëve të ndeshjes, dënohen me gjoba të rënda ose burgim deri në 5 vjet.

Policia u kërkon tifozëve të paraqiten në hyrjet e stadiumit që në orën 18:00, për të shmangur vonesat dhe humbjen e ndeshjes. Gjithashtu, kërkohet mos-publikimi i biletave në rrjete sociale, për të shmangur falsifikimin. Çdo biletë është personale dhe e pajisur me barcode të kontrollueshëm.

Në rast dyshimi apo abuzimi, qytetarët ftohen të telefonojnë menjëherë në numrin 112.

Policia e Shtetit thekson se janë angazhuar qindra efektivë për mbarëvajtjen e aktivitetit dhe garantimin e rendit, me qëllim që kjo ndeshje të zhvillohet në një atmosferë sportive dhe pa incidente, në respekt të sportit dhe imazhit të vendit.

Lajme te tjera