Bashkia e Lezhës kundërshton shifrat e raportuara nga Ekstensioni Bujqësor lidhur me situatën e përmbytjeve të tokave bujqësore. Sipas pretendimeve të Lezha Press, gjendja në terren është dukshëm më e rëndë se ajo e pasqyruar në raportimet zyrtare.
Duke iu referuar të dhënave të mbledhura nga strukturat e bashkisë, kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, deklaroi se sipërfaqja e tokës bujqësore të përmbytur arrin në mbi 1700 hektarë, gati dyfish më shumë se shifrat e raportuara nga Ekstensioni Bujqësor.
Në analizën e situatës, Ndreu i bëri thirrje Ministrit të Bujqësisë, Andis Salla, që të ndërhyjë për të mundësuar financimin e hidrovorit të Balldrenit, një investim që sipas tij është jetik për zonën. Ai theksoi se prej më shumë se 6 vitesh janë depozituar kërkesa, por financimi ende nuk është miratuar.
Kreu i bashkisë nënvizoi se problematikë mbeten edhe kanalet e ujërave të larta, të cilat kërkojnë ndërhyrje emergjente përmes ndërtimit të pritave malore, me qëllim parandalimin e përmbytjeve të përsëritura dhe mbrojtjen e tokës bujqësore.
Sipas Bashkisë Lezhë, pa këto investime, situata rrezikon të përsëritet çdo vit, duke sjellë dëme të mëdha për fermerët dhe ekonominë bujqësore të zonës.lezhapress


