Policia e Shkodrës ka vënë në pranga dy shtetas, të cilët u kapën në flagrancë me lëndë narkotike kanabis dhe me një mjet prerës (thikë), gjatë një kontrolli në automjetin me të cilin po qarkullonin.
Gjatë operacionit të zhvilluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, bazuar në të dhëna operative, u ndalua për kontroll automjeti ku ndodheshin shtetasit AArmand Papaj, 35 vjeç, banues në fshatin Dragoç, dhe Sokol Fushani, 39 vjeç, banues në Shkodër.
Gjatë kontrollit fizik dhe në automjet, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, që dyshohet se do të shpërndahej në doza, si dhe një mjet prerës (thikë). Po ashtu, u sekuestruan automjeti dhe dy celularë që përdornin të arrestuarit.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë dy shtetasit, ndërsa materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.


