Në një kohë kur të rinjtë largohen gjithnjë e më shumë nga zonat malore drejt qyteteve apo emigrimit, një i ri nga fshati Buzhalë në Pukë ka zgjedhur të bëjë të kundërtën: të qëndrojë, të krijojë dhe të promovojë bukuritë e vendit të tij. Ai është Emanuel Pjetri, vetëm 20 vjeç, por tashmë një emër i njohur për çdo turist që viziton liqenin e Komanit, lumin e Shalës apo kërkon të ngjitet në Majën e Murgës. Çdo mëngjes, Emanueli ngjitet në varkën e tij dhe lundron përgjatë ujërave të kristalta që përshkojnë Alpet shqiptare. Me një buzëqeshje mikpritëse dhe një pasion të rrallë për natyrën, ai u tregon turistëve jo vetëm rrugën, por edhe shpirtin e maleve të veriut. Nga Komani në Buzhalë, nga lumi në majë të malit, ai nuk është thjesht një guidë – por një rrëfimtar që flet për historinë, kulturën dhe jetën e thjeshtë por të fuqishme të komunitetit të tij.
Emanueli është thuajse i vetmi i ri në fshatin Buzhalë që ka zgjedhur të qëndrojë. Por nuk ka zgjedhur të qëndrojë duarbosh. Ai ka krijuar një model të vetin turizmi të qëndrueshëm, duke lidhur aktivitetet në natyrë me mikpritjen tradicionale. Për më tepër, ai ka një projekt të qartë për të ardhmen: ta kthejë shtëpinë e tij buzë liqenit në një bujtinë për turistët, ku mysafirët të gjejnë jo vetëm një vend për të fjetur, por një përvojë të vërtetë shqiptare.

Maja e Murgës është një tjetër perlë që ai po e ngjit në vëmendjen e turistëve. E vendosur 600 metra mbi nivelin e detit, kjo majë ofron një pamje të mrekullueshme mbi zonën e Pukës dhe është kthyer në një destinacion në rritje për eksploruesit që kërkojnë më shumë se sa pushime në plazh. Emanueli e njeh çdo shteg, çdo kthesë, çdo burim të atyre anëve – dhe përmes tij, edhe të tjerët mësojnë ta duan këtë vend.
Ai nuk ka zyrë, nuk ka agjenci, nuk ka ndihmë nga projekte të mëdha. Por ka diçka shumë më të rëndësishme: dashurinë për vendin dhe guximin për të ecur përpara. Në heshtje, pa zhurmë, Emanuel Pjetri po ndërton një të ardhme për veten dhe një derë të hapur për Pukën.

Në një Shqipëri që shpeshherë harron potencialin e saj të brendshëm, ai është dëshmia më e mirë që zhvillimi fillon nga njerëzit, nga ata që nuk presin asgjë, por japin gjithçka. Dhe në Buzhalë, buzë liqenit dhe rrëzë maleve, një i ri po bën pikërisht këtë.





