Më 17 nëntor Shqipëria do të çelë grup-kapitullin e fundit të Integrimit me Bashkimin Evropian, “Bujqësia dhe Kohezioni”. Për kryeministrin Rama shpejtësia me të cilën ka ecur Shqipëria, duke çelur të gjithë grupkapitujt brenda 12 muajve është rekord në procesin e integrimit për vendet kandidate.
“Shqipëria e arriti të pamendueshmen, të gjithë kapitujt e negociatave të hapur brenda 12 muajsh – rekord absolut në procesin e integrimeve europiane. Asgjë nuk na dal dot drejt majës së Shqipërisë 2030 në BE. Askush nuk na ndal dot drejt objektivit madhor të mbylljes së negociatave brenda 2027.
Sepse përtej vështirësive, pengesave, dëmtimeve të pashmangshme apo baltës së pandashme, në ngjitjen e kësaj të përpjete historike, ne po e rrisim e forcojmë muaj pas muaji Shqipërinë, me një ekonomi që po rritet; me pensionet që po rriten; me pagën minimale që po rritet; me pagat e tjera që po rriten; me investimet e brendshme e të huaja që po rriten; me mbështetjen për më të dobëtit e për të sëmurët me kancer që po rritet; me investimet e brendshme e të huaja që po rriten; pa rritur asnjë taksë dhe duke përmirësuar hap pas hapi punën e institucioneve të shtetit. Shqipëria punon dhe fiton përditë e më shumë respekt”, shkruan Rama.
Shqipëria ka hapur deri më tani 5 nga 6 grupkapituj, Themeloret, Marrëdhëniet me Jashtë, Tregun e Brendshëm si dhe Konkurrueshmëria dhe Rritja gjithëpërfshirëse si dhe Axhendën e Gjelbër.
Më 19 korrik të 2022-shit Shqipëria u ul në konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në duke çelur zyrtarisht negociatat. Më 15 tetor 2024-ës, nën drejtimin e presidencës hungareze, në Luksemburg do të mbahej konferenca e dytë ndërqeveritare ku Shqipëria çeli negociatat për grupkapitullin e parë dhe më të rëndësishëm, të ashtuquajturin “Themeloret”.
2 muaj më pas në 17 dhjetor të 2024-ës, sërish nën drejtimin e presidencën hungareze nisën bisedimet për grupkapitullin e dytë, atë të marrëdhënieve me jashtë. Ndërsa në prill dhe maj të 2025-s, Shqipëria çeli dy grupkapitujt e radhës, atë të “Tregut të brendshëm” dhe “Konkurrueshmëria e rritja gjithëpërfshirëse”.
Më 15 shtator, Shqipëria u ul në konferencën e gjashtë ndërqeveritare ku çeli zyrtarisht bisedime për grupkapitullin e “Axhendës së Gjelbër”, ndërsa ajo e radhës konferenca e shtatë do të jetë e fundit, për t’i hapur rrugën mbylljes së 6 grupkapitujve, me ambicien për ta përfunduar këtë proces teknik deri në vitin 2027. Shqipëria do të kalojë më pas në një proces të gjatë politik, për të marrë dritën jeshilë nga 27 parlamentet e vendeve të Bashkimit Evropian. s
Brukseli është optimist se brenda 2030-ës Shqipëria do të realizojë integrimin në union, ndërsa vetë kryeministri Edi Rama e ka shpallur anëtarësimin në BE prioritet të mandatit të katërt qeverisës.


