Në Vau Dejës, mes fushave të gjera me misër dhe grurë, nënë Roza Daija Bujari, 90-vjeçe, ende lëviz mes rreshtave të misrit me vendosmëri të rrallë. E vetme, ajo kujdeset për 20 hektarë tokë,një sipërfaqe që shumë të rinj e shmangin,duke treguar se pasioni për tokën nuk njeh moshë.
“Kallamoç dhe grurë dhe një pëllëmbë tokë nuk ia kam dhënë askujt. E kam punuar vetë dhe vetë do ta punoj derisa të mundem”, thotë ajo, me një vendosmëri që frymëzon çdo sy që e sheh.

Në këtë moshë, nënë Roza nuk ka as ndihmë të përhershme. Djali jeton larg, në emigracion, ndërsa burri ka ndërruar jetë vite më parë. Punëtorët që gjen, i paguan drejtë, 60 mijë lekë në ditë, duke vlerësuar mundin e tyre. “Besa nuk gjen. Unë e para që jam e vetme nuk gjej”, thotë ajo, duke përzier seriozitetin me një dozë të hollë humori.

Çdo vit, prodhimi i saj rreth 400 kuintal grurë dhe misër,shkon tek ferma e Emaldinit. Fermeri Emaldin Smakaj e përshkruan kështu: “Produkt i veçantë, sepse është 90 vjeçe dhe vijon të punojë tokën. Një shembull që duhet marrë”.
Pyetur nëse ndonjëherë do të ndalet, përgjigjja e saj është e prerë: “Punën? Jo për Zotin, derisa të mbetem për të ecur me duar nuk e lë. Po pushimi nuk të vlen asgjë! Duhet të punojmë fort se diku të del”.

Nënë Roza është një histori frymëzuese, një kujtesë se puna, pasioni dhe përkushtimi nuk kanë moshë, dhe se toka ka nevojë për zemër, jo për justifikime.


