Një tjetër futbollist i ri nga Shkodra hedh hapa përpara drejt arenës ndërkombëtare. Avrel Prendi, i lindur në vitin 2008 dhe dikur pjesë e KF Bashkimi në vitin 2019, është zyrtarizuar si pjesë e ekipit Imolese Calcio U19 në Itali.
Pas një faze përzgjedhjeje nga Kombëtarja Rajonale dhe një periudhe në KF Vllaznia U15, Prendi provoi veten në Itali me ekipin Imolese, ku, sipas burimeve të klubit, u vlerësua për performancën dhe cilësitë individuale.
Pas disa muajsh qëndrimi në vendin fqinj, ai ka përfituar lejen e qëndrimit dhe ka firmosur kontratën me ekipin U19 të klubit italian, që militon në futbollin e të rinjve.
Ky hap në karrierë është rezultat i angazhimit të vetë lojtarit dhe mbështetjes së familjes së tij, por edhe i bashkëpunimit me menaxherin Alban Saraci, i cili ka ndihmuar në lidhjen e KF Bashkimi me struktura jashtë vendit.
KF Bashkimi e cilëson këtë si një zhvillim pozitiv për vetë lojtarin dhe shembull të punës me të rinjtë, ndërkohë që klubi vijon të jetë një nga strukturat sportive që angazhohet në zhvillimin e talenteve vendase.

Prendi tashmë do të vazhdojë fazën tjetër të përgatitjes dhe aktivizimit në Itali, ndërsa mbetet për t’u parë ecuria e tij në sezonin e ri me Imolese Calcio U19.