Nga Shkodra per ne USA klandestin/ SPAK shkaterron grupin kriminal (Emrat)

SPAK çon për gjykim grupin që organizonte kalime të paligjshme drejt SHBA-së — përfitime deri në 45 mijë dollarë për person

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen ndaj një grupi të strukturuar kriminal që akuzohet se ka organizuar kalimin e paligjshëm të dhjetëra shtetasve shqiptarë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në qendër të këtij grupi, sipas SPAK, qëndron Luc Melaj, i akuzuar si drejtues i organizatës, ndërsa pjesë e saj kanë qenë edhe Gëzim Camaj, Emanuel Melaj, Tonin Melaj dhe Bashkim Çokaj.

Sipas dosjes hetimore, grupi ka mundësuar kalimin e paligjshëm të të paktën 25 shtetasve shqiptarë, nga mesi i vitit 2022 deri në korrik 2024. Aktiviteti është cilësuar si i mirëorganizuar, me ndarje të qarta rolesh dhe me synim përfitime financiare.

Si funksiononte skema

Hetimet kanë zbuluar se personat që dëshironin të udhëtonin drejt SHBA-së kontaktoheshin në Shqipëri, ku u shpjegohej itinerari i udhëtimit dhe pagesat, që varionin nga 40.000 deri në 45.000 dollarë për person.

Grupi siguronte dokumente të falsifikuara franceze, që u dorëzoheshin udhëtarëve pas mbërritjes në Spanjë, prej nga udhëtonin me rrugë ajrore drejt Meksikës, për t’u futur më pas tokësisht në territorin amerikan.

Në këtë rrjet, sipas SPAK, ishte përfshirë edhe Emanuel Melaj, i cili ndihmonte në rezervimin e biletave, koordinimin e udhëtimeve dhe transferimin e parave.

Gjithashtu, Luc Melaj dhe Gëzim Camaj akuzohen për transport të paligjshëm të shtetasve shqiptarë përtej kufirit me Malin e Zi, pa i regjistruar në sistemet kufitare.

Ndërkohë, Tonin Melaj dhe Bashkim Çokaj, të cilët ishin punonjës policie në pikën kufitare të Hanit të Hotit, akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën, duke mos regjistruar hyrje-daljet e personave që kishin probleme ligjore ose që ishin azilkërkues në vende të tjera.

Akuzat

SPAK i ngarkon të pandehurve disa vepra penale, përfshirë:

  • “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve” në formën e grupit të strukturuar kriminal,
  • “Falsifikim dokumentesh identifikimi”,
  • “Grup i strukturuar kriminal”,
  • “Shpërdorim detyre” dhe
  • “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Hetimi ndërkombëtar

Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, Shërbimin e Sigurisë Diplomatike të SHBA-ve, Zyrën e Hetimeve Kriminale pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë, si dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Njësinë Speciale “Mburoja e Përbashkët”.

SPAK bën me dije se hetimet vijojnë për persona të tjerë, që mund të kenë qenë të përfshirë në këtë rrjet të gjerë trafiku njerëzor.

Lajme te tjera

error: Content is protected !!