Për herë të parë në Shqipëri, në Spitalin Rajonal të Shkodrës është realizuar me sukses një ndërhyrje e rrallë: stentimi i arterisë mesenterica superior (një operacion kompleks për trajtimin e ishemisë kronike të mezenterit, i cili shpëtoi jetën e një pacienti 43-vjeçar). Ky sukses historik u arrit falë bashkëpunimit të ngushtë mes kirurgëve vaskularë dhe kardiologëve intervencionistë: Dr. Besmir Grizhja, Dr. Enkelejd Lohja, Dr. Gledis Zaimi dhe Dr. Kevin Bektasha.
Por kush janë këta mjekë të shquar? ShkodraSot, ju sjell profilet e tyre:
Dr. Besmir Grizhja – Kirurg Vaskular

Dr. Besmir Grizhja udhëhoqi operacionin unik të stentimit të arterisë mesenterica superior. Ai ka një eksperiencë të gjerë në kirurgjinë vaskulare dhe ka realizuar ndërhyrje të rralla në mbarë botën, duke përfshirë operacione komplekse për arteria ishiadike me ishemi këmbësh dhe aneurizma. Operacioni i fundit, i konsideruar si një ndër 168-të të këtij lloji në botë që nga viti 1960, përfundoi me sukses duke shpëtuar jetën e pacientit.
Dr. Enkelejd Lohja – Kardiolog & Hemodinamist

Dr. Enkelejd Lohja është një nga kardiologët më të njohur në Shqipëri për procedurat invazive. Ai ka kryer studimet në universitetin italian “Università Cattolica Nostra Signora del Buon Consiglio” dhe ka pasur specializime të mëtejshme brenda dhe jashtë vendit. Dr. Lohja është ekspert në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të arterieve koronare, çrregullimeve të valvulave të zemrës dhe anomalive të tjera kardiake.
Dr. Gledis Zaimi – Kardiolog Intervencionues

Dr. Gledis Zaimi është kardiolog intervencionues me përvojë të gjerë në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve kardiake. Ai ka përfunduar studimet në mjekësi pranë Universitetit të Tiranës në vitin 2018 dhe më pas specializimin në kardiologji. Dr. Zaimi ofron shërbime profesionale prane spitalit te Shkodres, duke kombinuar ekspertizën e tij me kujdesin maksimal ndaj pacientëve.
Dr. Kevin Bektasha – Kardiolog

Dr. Kevin Bektasha ka punuar më parë në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë dhe tani është pjesë e stafit mjekësor në Shkodër. Ai ka përfunduar specializime të avancuara në kardiologji dhe është anëtar i European Society of Cardiology. Ekspertiza e tij përfshin procedurat diagnostikuese dhe trajtimet invazive për sëmundjet e zemrës, duke kontribuar në operacione të ndërlikuara si stentimi i arterisë mesenterica superior.