Situata hidrometeorologjike në Qarkun Shkodër paraqitet e qetë (09 janar 2026)
Në vijim të monitorimit të vazhdueshëm të situatës hidrometeorologjike dhe bazuar në raportimet e bashkive, strukturave të Mbrojtjes Civile dhe institucioneve përgjegjëse, Prefektura e Qarkut Shkodër bën me dije se situata në territorin e qarkut paraqitet e qetë dhe nën kontroll.
Bashkia Shkodër
Nga strukturat vendore nuk raportohen problematika të Emergjencave Civile. Në njësinë administrative Dajç, kuota e ujit shënohet në 6.20 metra. Në Urën e Vjetër të Bunës, niveli i ujit nuk ka pësuar rritje dhe ndodhet nën kuotën kritike, ndërsa në Urën e Bahçallekut, niveli i lumit Drin vlerësohet gjithashtu nën kuotën kritike dhe me tendencë rënieje.
Pranë fshatit Obot vijon të ketë prezencë uji në rrugën kryesore, ku Forcat e Armatosura janë të dislokuara me 3 mjete të kalueshmërisë së lartë, duke asistuar prej disa ditësh banorët në kalimin e segmentit të përmbytur.
Bashkia Vau Dejës
Në territorin e kësaj bashkie nuk evidentohen probleme të Emergjencave Civile. Situata paraqitet e qetë dhe vijon të monitorohet.
Bashkia Malësi e Madhe
Situata paraqitet e qetë. Gjatë natës nuk janë regjistruar reshje shiu dhe nuk raportohen problematika. Është evidentuar tërheqje e ujit në zonën “Rreze e Veshtit”, në njësinë administrative Kastrat, ku po punohet për lirimin e plotë të aksesit.
Bashkia Pukë
Deri në këto momente nuk raportohen probleme apo situata të lidhura me Emergjencat Civile.
Bashkia Fushë-Arrëz
Situata paraqitet e qetë dhe nuk janë raportuar problematika.
Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë
Sipas të dhënave zyrtare, hidrovorët në Vilun dhe Casi vijojnë punën normalisht me kapacitet të plotë, duke garantuar menaxhimin e prurjeve. Verifikimet në terren tregojnë se argjinaturat, kanalet kulluese, shkarkuesit dhe diga e Rezervuarit të Shkodrës funksionojnë në kushte normale. Lumenjtë Kir dhe Gjadër kanë shënuar rënie të ndjeshme të prurjeve, duke ndikuar pozitivisht në stabilizimin e situatës hidrologjike. Për ditën e sotme nuk janë regjistruar reshje shiu dhe temperaturat janë në rënie.
Ndërkohë, Reparti Ushtarak Vau Dejës nr. 1010 (Regjimenti i Këmbësorisë së Veriut) vijon angazhimin në fshatin Obot, njësia administrative Ana e Malit, Bashkia Shkodër, me 2 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 8 efektivë.
Prefektura e Qarkut Shkodër mbetet në monitorim të vazhdueshëm dhe në gatishmëri me të gjitha strukturat përgjegjëse për përballimin e çdo situate të mundshme.


