Shembull qytetarie: Pjerini,68-vjeçari që çdo ditë pastron pallatin dhe lagjen e tij ne Shkoder

Në një kohë kur ankesat dhe mungesa e përgjegjësisë qytetare janë bërë pjesë e zakonshme e realitetit tonë, historia e Pjerin Fatit nga Shkodra vjen si një rreze drite e rrallë, një shembull që frymëzon dhe prek.

Prej 12 vitesh, Pjerini, tashmë 68 vjeç, kujdeset çdo ditë për pastërtinë e pallatit ku banon vetë. Pa pagesë, pa kërkuar shpërblim, pa asnjë detyrim vetëm me dëshirën e pastër për të mbajtur rrethin e tij të jetesës të pastër, të rregullt dhe të bukur.

Çdo mëngjes, ai nis punën nga kati i 7-të deri poshtë, duke pastruar shkallët, larë xhamat dhe fshirë oborrin deri te rruga kryesore ku kalojnë automjetet.
Por nuk ndalet aty: me shpenzimet e veta ka mbjellë pemë dekorative, ka lyer stolat dhe madje ka pikturuar muret e pallatit me ndihmën e një artisti, duke i dhënë ngjyra dhe jetë hapësirës ku jeton.

I dalë në pension prej dy vitesh, Pjerini e ka gjetur mënyrën për të qëndruar aktiv, për të dhënë diçka nga vetja dhe për të kontribuar në heshtje aty ku shumë të tjerë kthejnë kokën anash.

“E bëj sepse më pëlqen pastërtia dhe rendi. Kjo është shtëpia ime, këtu jetojmë të gjithë bashkë,” thotë ai me modesti.

Historia e tij është një thirrje morale për shoqërinë tonë, për mënyrën si e kuptojmë përgjegjësinë qytetare dhe bashkëjetesën. Në një realitet ku shpesh mungon respekti për hapësirat e përbashkëta, gjesti i tij i thjeshtë kthehet në një akt qytetarie të lartë.

Gazetarja Kozeta Bruci, e cila solli këtë histori, e përshkruan Pjerinin si:

“Njeriun e heshtur që e pastron çdo ditë ndërgjegjen e komunitetit të tij, jo vetëm shkallët.”

Në një vend ku heroizmi shpesh ngatërrohet me fjalë të mëdha, Pjerin Fati është hero i përditshmërisë — një njeri që na kujton se qytetaria fillon nga dera jonë, nga shkalla, nga oborri, nga dëshira për të bërë diçka për të tjerët pa kërkuar asgjë në këmbim.

Lajme te tjera

error: Content is protected !!