Një rast vjedhjeje është regjistruar në fshatin Golem të Shkodrës. Sipas Policisë, shtetasja D. Sh., 60 vjeçe, ka kallëzuar se gjatë kohës që në banesë nuk kishte njeri, i është vjedhur një shumë parash. Forcat e rendit po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve, ndërsa materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër njofton edhe për disa procedime të tjera:
– Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore kanë referuar materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin D. Sh., 56 vjeç, banues në fshatin Sheldi, pasi u kap duke drejtuar një motomjet pa leje drejtimi.
– Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës kanë referuar materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi dje, shtetasja L. A., 86 vjeçe, banuese në fshatin Kroni, është rrëzuar aksidentalisht në banesë dhe si pasojë është dëmtuar. Ajo po merr mjekim në Spitalin Rajonal Shkodër.
– Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Fushë Arrëz kanë referuar materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit H. S., 61 vjeç, dhe Xh. S., 58 vjeç, të dy banues në Fushë Arrëz, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Vetëgjyqësia”. Sipas Policisë, shtetasi H. S. ka bllokuar me automjetin e tij rrugën përpara banesës së shtetasit Xh. S., ndërsa ky i fundit ka bllokuar rrugën që të çon te prona e H. S.
Të gjitha materialet janë referuar në Prokurorinë e Shkodrës për veprime të mëtejshme hetimore.


