Prej ditës së djeshme ka nisur puna për riparimin e ujësjellësit të Mirditës, i cili u dëmtua si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm që ranë në fillim të muajit dhjetor, të shoqëruar me gërryerje të mëdha të tokës. Si pasojë e kësaj situate, qyteti i Rrëshenit dhe disa fshatra të kesaj bashkie mbetën pa furnizim me ujë të pijshëm, pasi tubacionet u dëmtuan në një territor të vështirë dhe me akses të kufizuar. Për riparimin e defektit, Bashkia Mirditë ka angazhuar mjete të rënda dhe fuqi punëtore në bashkëpunim me Drejtorinë e SHA Ujësjellës-Kanalizime. Kreu i Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi, tha se brenda dy ditësh ujësjellësi pritet të rikthehet plotësisht në funksion, duke garantuar furnizimin normal me ujë të pijshëm për banorët.
Dëmtimi i ujësjellësit la pa ujë të pijshëm rreth 7 mijë banorë. Për qytetin e Rrëshenit është siguruar një zgjidhje provizore me furnizim të kufizuar në orare të caktuara, ndërsa për rreth 10 fshatra furnizimi me ujë të pijshëm ende nuk ka qenë i mundur.


