Proçesi i rindërtimit në Lezhë po hyn në fazën e tij përmbyllëse, me synimin që të gjitha banesat e dëmtuara nga tërmeti i nëntorit 2019 të përfundojnë brenda vitit të ardhshëm. Në total, 50 shtëpi individuale dhe një pallat në lagjen “Besëlidhja” janë ende në proces, për shkak të rritjes së çmimeve të materialeve të ndërtimit, që ka sjellë vonesa në zbatimin e projekteve pas tërheqjes së kompanive nga procesi.
26 familje kanë pranuar fondet e përcaktuara nga Këshilli i Ministrave për ndërtimin vetjak të banesave dhe ky fond prej rreth 76 milion lekë është miratuar edhe në Këshillin Bashkiak, ndërsa 24 të tjera do të rindërtohen drejtpërdrejt nga Bashkia e Lezhës. Kjo e fundit i është drejtuar Ministrisë së Financave për rishikimin e çmimeve të referencës, por në të njëjtën kohë ka shprehur gadishmërinë e saj për të qënë pjesë me alokimin e fondeve shtesë për të mbuluar diferencat e kostove dhe për të siguruar vijimin pa ndërprerje të punimeve. Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, theksoi se ndërhyrja financiare është e domosdoshme për të përmbyllur një proces që ka ndikuar rritja e kostove që sollën tërheqjen e kompanive nga procesi i rindërtimit sipas fondeve të miratuara paraprakisht.
Pjerin NDREU – Kryetar i Bashkisë Lezhë
Ndërkohë, procedurat për ndërtimin e pallatit të dëmtuar në lagjen “Besëlidhja” janë drejt përfundimit, duke hapur rrugë nisjes së punimeve.


