Qendrat shëndetësore verore nga veriu në jug të vendit janë në funksion të plotë të pushuesve, për të garantuar shërbim mjekësor 24 orë në ditë në 7 ditë të javës.
Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor ndau sot shifra, duke cilësuar se që prej 1 qershorit e deri më 14 shtator 2025, në 36 Qendrat Shëndetësore Verore në të gjithë vendin janë trajtuar 77301 pushues, nga të cilët 31% të huaj.
Sipas OSHKSH-së, vetëm në periudhën 8-14 shtator janë realizuar 4033 vizita gjithsej, nga të cilat 66% pushues shqiptarë dhe 34% turistë të huaj.
Qendrat Shëndetësore Verore me numrin më të lartë të vizitave janë në Golem, Durrës, Shëngjin, Velipojë dhe Ksamil i Vjetër.
Diagnozat më të trajtuara nga mjekët, që prej fillimit të sezonit veror janë gastroenteritet, viroza të ndryshme, hipertension arterial, si edhe pickimet/alergjitë.