Shkodër – Policia lokale raporton një sërë ngjarjesh dhe procedimesh penale
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë kryer disa arrestime dhe procedime penale, pas aksidenteve rrugore, vjedhjes së një çante, transportimit të paligjshëm të lëndës drusore dhe një rasti vetëhelmimi.
Aksident në rrugën “Kole Heqimi”
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit E. G., 25 vjeç, dhe D. K., 30 vjeç, të dy banues në Shkodër, pasi si pasojë e përplasjes së mjeteve të tyre me njëri-tjetrin dhe me dy automjete të parkuara, u dëmtua shtetasja M. H., 64 vjeçe, e cila ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Gjithashtu, nisi procedimi penal për shtetasin Q. Y., 64 vjeç, banues në fshatin Gur i Zi, i kapur duke drejtuar motomjetin pa leje drejtimi.
Vetëhelmim i një të reje
Specialistët e Hetimit të Krimeve referuan materialet në Prokurori, pasi një 18-vjeçare nga Shkodra është vetëhelmuar duke konsumuar medikamente. Ajo mori ndihmën mjekësore dhe ndodhet në gjendje stabile shëndetësore.
Vjedhje në Shirokë
Një tjetër procedim nisi ndaj shtetasit K. N., 35 vjeç, banues në Shkodër, pasi dyshohet se i ka vjedhur çantën një shtetasi të huaj në zonën turistike të Shirokës.
Prerje e paligjshme e druve në Malësi të Madhe
Në fshatin Reç, specialistët e Komisariatit të Malësisë së Madhe proceduan në gjendje të lirë shtetasin P. Z., 54 vjeç, i cili u kap duke transportuar 9 m³ lëndë drusore, të dyshuar të prerë në mënyrë të kundërligjshme. Lënda drusore u sekuestrua si provë materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme ligjore.