Përditësim i situatës në territorin e Bashkisë Shkodër
Situata në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet e qetë, me rënie të nivelit të ujit në të gjitha zonat.
Në qytetin e Shkodrës nuk është raportuar asnjë problematikë dhe qarkullimi vijon normalisht.
Problematikat kryesore janë regjistruar në njësitë administrative Gur i Zi (Gur i Zi, Juban, Verracak) dhe Bërdicë (Bërdicë e Sipërme, Mali Hebaj, Beltojë, Bërdicë e Madhe, Bërdicë e Mesme, Trush), ku është konstatuar prezencë uji në disa oborre banesash dhe toka bujqësore.
Në terren janë angazhuar strukturat e Emergjencave Civile, Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, IMT, Policisë Bashkiake dhe njësive të tjera mbështetëse, me mjete logjistike për pastrimin e kanaleve dhe zhbllokimin e nyjeve kulluese.
Janë përdorur 3 eskavatorë, 3 fadroma, 2 kamionë, 3 kamionçina dhe pompa thithëse për normalizimin e situatës.
Nuk ka persona të evakuuar.
Strukturat e Bashkisë vijojnë monitorimin e vazhdueshëm dhe janë në gatishmëri të plotë për çdo ndërhyrje të nevojshme.


