Spektatori shkodran u bë “dëshmitar” i një mbrëmjeje të mbushur me emocione.
Nën titullin “Shkodra nga sytë e Artistëve”, ky organizim në Teatrin “Migjeni” ishte pjesë e Karavanit Kombëtar “Zërat e Artit”, një nismë që synon të rikthejë vëmendjen te arti, qyteti dhe rrëfimet personale të krijuesve.
Artistë të njohur si Robert Radoja, Rita Gjeka, Primo Shllaku, Arjola Zadrima, Eltjana Shkreli, Jozef Shiroka dhe Uarda Albunesa ndanë me publikun histori mbi jetën e tyre artistike, lidhjen me Shkodrën dhe mënyrën se si qyteti ka ndikuar në formimin e tyre profesional e njerëzor.
Mbrëmja u shoqërua me rrëfime të sinqerta, emocione dhe momente reflektimi mbi rolin e artit në shoqërinë bashkëkohore.
Kjo natë rrëfimesh shënon një tjetër ndalesë të rëndësishme të Karavanit “Zërat e Artit”, që po udhëton nëpër Shqipëri për të sjellë pranë publikut krijuesit dhe historitë e tyre.


