Rreth 4,500 qytetarë në Shkodër dhe Vau Dejës janë vaksinuar kundër gripit vetëm dy javë pas nisjes së fushatës së vaksinimit, duke shënuar një ritëm pozitiv krahasuar me vitet e kaluara.
Kryevaksinatori i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, Arben Xhabia, u shpreh se fushata po ecën me hapa të shpejtë dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve ka ardhur në rritje. Ai theksoi rëndësinë e vaksinimit, sidomos në këtë periudhë të vitit, kur virozat janë më të shpeshta.
“Është shumë e rëndësishme që veçanërisht fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike të vaksinohen, për të shmangur komplikacionet nga gripi stinor,” deklaroi Xhabia.
Sipas tij, synimi është që deri në përfundim të fushatës të vaksinohen rreth 14 mijë qytetarë në të dy bashkitë, ndërsa do të vijojë sensibilizimi për të përfshirë sa më shumë kategori në këtë proces parandalues.


