Rritja e turizmit po ngadalësohet/Shqipëria po hyn në fazën e ngopjes?! Lumi i Shales ne renie

Rritja e turizmit po ngadalësohet Shqipëria po hyn në fazën e ngopjes, ndërsa bien ndjeshëm rezervimet edhe në Lumin e Shalës

Pas disa vitesh me rritje të vrullshme në turizëm, të dhënat zyrtare tregojnë se Shqipëria po përballet me një ngadalësim të dukshëm të fluksit turistik. Sipas INSTAT, gjatë pesë muajve të parë të këtij viti, vendi u vizitua nga 3.4 milionë shtetas të huaj, me një rritje minimale prej vetëm 3.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo është një ulje drastike nga ritmet e mëparshme 43% në pesëmujorin e parë të vitit 2023 dhe 37.5% në vitin 2022.

Ky frenim i rritjes vërehet më shumë në muajin maj, ku hyrjet e turistëve u rritën me vetëm 1.9%, duke konfirmuar stanjacionin që po përjeton sektori. Të dhënat tregojnë se ky ngadalësim është i shtrirë në të gjitha rajonet e Europës dhe sinjalizon se Shqipëria mund të ketë hyrë në një fazë saturimi turistik.

Ndërkohë, rënia e interesit është bërë e dukshme edhe në disa prej destinacioneve ikonike të turizmit natyror në vend, siç është Lumi i Shalës. Krahasuar me vitin e kaluar, operatorët lokalë flasin për një rënie të qartë të kërkesës dhe rezervimeve. Këtë e pranojnë jo vetëm strukturat pritëse si hotelet dhe restorantet, por edhe transportuesit me varka dhe mjetet që lidhin zonën me qytetin e Shkodrës.

Në të kundërt, në Theth ritmi i vizitave duket se mbetet i qëndrueshëm dhe pa luhatje, çka e bën edhe më të dukshme kontrastin me lumin e Shalës.

Ende nuk dihet me saktësi nëse ky rënie vjen si pasojë e turizmit masiv në zonë, që mund të ketë kompromentuar përvojën e vizitorëve, apo lidhet me cilësinë e shërbimeve dhe aksesin logjistik. Por ajo që është e qartë është se, turizmi po hyn në një fazë ku nuk mjafton më vetëm bukuria natyrore kërkohet cilësi, organizim dhe përkujdesje ndaj përvojës së vizitorit.

Lajme te tjera