Rruga e re panoramike që lidh Shëngjinin me Velipojën është kthyer në një nga destinacionet më të frekuentuara të ditëve të fundit. Me pamje spektakolare nga bregdeti dhe natyra e egër përreth, ajo po tërheq çdo ditë dhjetëra qytetarë që kërkojnë qetësi, ajër të pastër dhe foto të paharrueshme në natyrë.
Por, përveç bukurisë që ofron, rruga ka sjellë edhe një shqetësim për disa vizitorë: praninë e gjarpërinjve. Në rrjete sociale janë shtuar komentet dhe ankesat për përballje të papritura me zvarranikë përgjatë rrugës ose në zonat ku ndalojnë për pushim.

Ekspertët e mjedisit theksojnë se nuk kemi të bëjmë me ndonjë situatë të pazakontë apo të rrezikshme. “Gjarpërinjtë ndodhen aty sepse ajo është habitati i tyre natyror. Ne jemi ata që kemi shkuar në mes të natyrës së tyre, jo e kundërta,” thonë ata.
Apeli është i qartë: të shijojmë bukuritë e natyrës me respekt dhe kujdes, duke mos ndërhyrë apo provokuar kafshët që jetojnë atje. Si në çdo zonë të egër, edhe këtu kërkohet një ndërgjegjësim i thjeshtë, se nuk jemi vetëm.