Kryetari i PD, Sali Berisha në një dalje për mediat u shpreh se 190 milion eurot e inceneratorit të Tiranës po investohen në kulla.
Berisha: Thashë të paraqes këtë, pasi në librarinë dixhitale apo në arkivën dixhitale janë 34 denoncime të Perlat Çullhajt, narko-komisarit, i implikuar në të gjitha llojet e trafiqeve dhe në krime të tjera.
Komisarit milioner që i beson tani Edi Rama analizën shkencore të provave dhe fakteve në laborator.
Një trafikant ishte aty, Niko Brahimi, por tani erdhi një kopje më e shëmtuar e narkosve në atë detyrë, çka bën krejtësisht të pashpresë luftën e vërtetë kundër tyre.
Falsifikohen provat, prishen provat dhe merren në mbrojtje.
Sot, Altin Troplini informoi se Veliaj po hetohet për fakte të tjera penale.
Të dashur qytetarë, qytetarët dixhitalë kanë informuar se dëshmitarët e aferës Veliaj, aferës ta quajmë ‘Nesti Angoni’, kanë dhënë dëshmi tronditëse për 130 milionë euro të inceneratorit, pasuri publike e shqiptarëve, fonde publike të shqiptarëve.
Qytetarët dixhitalë informojnë se janë bërë dëshmi se paratë e inceneratorit të Tiranës janë investuar në kulla nga Edi Rama dhe Erion Veliaj.
Unë garantoj qytetarët se këto dëshmi nuk do mund të zhduken gjersa të gjendet çdo qindarkë e vjedhur nga Rama-Veliaj me djegësin e Tiranës dhe për të cilat Altin Troplini mban heshtje varri.
Unë paralajmëroj se çdo fshehje dhe injorim i dëshmive për 130 milionë euro, do të ngarkojë me përgjegjësinë më maksimale, të barabartë me vjedhësit, ata që duan t’i fshehin sot.
Natyrisht askush të mos presë që Altin Troplini të ndjekë këtë çështje përderisa aty është emri i Edi Ramës.
Çdo gjë që lidhet me Edi Ramën, fshihet dhe mbyllet nga Altin Troplini.
Por, e vërteta vonon, por nuk harron.
130 milionë euro, në fakt janë edhe nja 60 milionë të dherave, kështu që shkojnë 190 milionë.
Qytetarët dixhitalë informojnë se janë bërë dëshmira për përdorimin e këtyre parave të vjedhura në kulla.
Natyrisht kjo kërkon një hetim të plotë dhe të gjithanshëm.
Dhe me Altin Troplinin ky hetim është i pamundur.
Por unë meqenëse ai sot deklaroi se po hetohet për fakte të tjera penale, ai keqpërdoret në shkallë ekstreme, siç po bën me Irenën me 5 mbiemra, të cilën për ta mbrojtur nga krimet e saj, i hap çështje penale pa emër në mënyrë që të thotë po hetoj dhe të na dalë nesër se dikush ia ka grabitur pasaportën Irenës dhe ka shkuar në Janinë dhe është dënuar me burg personi që i ka grabitur… ose ndonjë tjetër, ndonjë trillim.
Pra, hapja e çështjes pa emër për Irena Gjokën në një kohë kur ajo ka 3 vepra penale, ka mashtruar në formularin e vetingut, ka mashtruar në formularin e dekriminalizimit, ka fshehur burgun për të cilën ajo nuk do mund të ishte kurrë gjykatëse, por duhej të ishte në burg.
Natyrisht e thashë edhe njëherë, e vërteta vonon, por nuk harron.