Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër ka njoftuar për një sërë ngjarjesh dhe veprimesh procedurale të ndodhura gjatë 24 orëve të fundit në qark.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin B. P., 74 vjeç, banues në Shirq, pasi mbrëmjen e djeshme, në aksin rrugor “Velipojë–Shkodër”, dyshohet se me automjetin që drejtonte ka përplasur shtetasin F. K., 67 vjeç, i cili po lëvizte me biçikletë. Si pasojë e aksidentit, 67-vjeçari ka humbur jetën në spital.
Po nga Qarkullimi Rrugor, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për shtetasin L. M., 82 vjeç, banues në fshatin Bërdicë e Mesme, i cili, duke drejtuar një motomjet pa leje drejtimi, është rrëzuar dhe për pasojë ka pësuar dëmtime të lehta.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër shpallën në kërkim shtetasin B. K., 39 vjeç, banues në Shkodër, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij.
Nga Stacioni i Policisë Velipojë, specialistët për Hetimin e Krimeve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin K. F., i cili dyshohet se ka kryer punime ndërtimi pa leje.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe referuan materialet në Prokurori për nisjen e procedimit penal ndaj shtetasve Gj. M., 67 vjeç, për lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, të konstatuar gjatë kontrolleve të kryera në bashkëpunim me shërbimet e OSHEE-së, si dhe F. B., për kryerje të punimeve ndërtimore pa leje.
Të gjitha materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme ligjore.


