Një operacion i policisë ka çuar në arrestimin e Roseljo Arifit, 20-vjeç nga Shkodra, i dyshuar si organizatori kryesor i një grupi kriminal që merrej me trafikimin e armëve drejt Anglisë.
Sipas burimeve, i riu kishte rol kyç në organizimin e dërgesave përmes linjave direkte të autobusëve Shqipëri–Angli. Më herët dyshohet se janë kryer porosi të ngjashme, ku armët e zjarrit fshiheshin brenda objekteve të ndryshme dhe më pas trafikonin jashtë vendit.
Arifi, së bashku me dy persona të tjerë – Jurgen Susa dhe Segest Meti – u zbulua nga policia pasi tentuan të dërgonin drejt Anglisë një televizor brenda të cilit ishte fshehur një armë zjarri e çmontuar me silenciator.
Sipas informacioneve, Komisariati nr. 3 në Tiranë u njoftua nga një kompani transporti se në Shkodër ishte marrë një porosi e dyshimtë. Gjatë kontrollit, policia gjeti armën e ndarë në pjesë brenda televizorit.
Përfaqësuesit e kompanisë së transportit thanë se nuk njihnin dërguesit, por kishin shënuar targën e automjetit. Po ashtu, ata u kontaktuan në telefon nga një numër finlandez, që sipas hetimeve rezultoi të ishte përdorur nga Roseljo Arifi.
Identifikimi u bë përmes pamjeve të kamerave të sigurisë në Shkodër, në vendin ku ishte dorëzuar televizori. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës së trafikut të armëve nga Shqipëria drejt Anglisë.