Shkodër/Malësi e Madhe – Arrestime dhe procedime penale për dhunë në familje, aksidente dhe ndërtim pa leje
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër njofton se janë kryer disa arrestime dhe procedime penale gjatë 24 orëve të fundit, për vepra të ndryshme penale.
Në Malësinë e Madhe, specialistët e Hetimit të Krimeve arrestuan në flagrancë 28-vjeçarin V. Gj., banues në fshatin Hot, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vëllait të tij.
Ndërkohë, specialistët e Policisë Rrugore kanë referuar në Prokurori materialet për disa ngjarje:
Sh. A., 62 vjeç, banues në Dobraç, i cili duke drejtuar një motomjet pa leje drejtimi, ka humbur kontrollin dhe është rrëzuar. Ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën; një 17-vjeçar, i cili te sheshi “2 Prilli”, duke drejtuar mjet elektrik pa leje drejtimi, është përfshirë në një aksident me dëme materiale; A. D., 19 vjeç, i cili duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi, ka përplasur një këmbësor, 49-vjeçarin F. M. Ky i fundit po merr mjekim në spital dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, specialistët e Hetimit të Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër kanë nisur procedim penal për:
L. Rr., 65 vjeç, pasi dyshohet se ka goditur me sende të forta një 72-vjeçare, për motive të dobëta; D. B., 42 vjeçe, e cila është konstatuar duke kryer punime ndërtimi pa leje.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme.