Shkodër – Policia procedon disa raste penale, nga falsifikimi i targave deri te dhuna në familje
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër ka njoftuar një sërë rastesh të evidentuara gjatë 24 orëve të fundit, që përfshijnë vepra të ndryshme penale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve kanë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Xh. Z., 20 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri, i dyshuar për veprat penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”. Automjeti që ai posedonte dyshohet të jetë i trafikuar, me targa të falsifikuara dhe me ndërhyrje në numrin e shasisë. Mjeti është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Ndërkohë, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor kanë proceduar penalisht shtetasit E. B., 18 vjeç, banues në fshatin Postribë, dhe E. N., 18 vjeç, banues në Hot i Ri, pasi janë kapur duke drejtuar automjete pa leje drejtimi.
Po ashtu, janë referuar materialet në Prokurori për dy ngjarje rrugore:
- E. D., 50 vjeç, banues në Shkodër, dyshohet se ka humbur kontrollin e motomjetit dhe është përplasur me barrierat anësore, duke mbetur i dëmtuar. Ai po merr trajtim mjekësor në spitalin rajonal;
- M. Th., 75 vjeç, banues në Shkodër, ka përplasur me motomjetin e tij një biçiklist, K. P., 75 vjeç, i cili ka pësuar lëndime të lehta.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shkodër kanë shpallur në kërkim shtetasin E. K., 39 vjeç, pas kallëzimit të bashkëshortes së tij M. K., e cila është e pajisur me urdhër mbrojtjeje ndaj tij. Sipas kallëzimit, ai ka marrë vajzën e tyre 6-vjeçare, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, dhe është larguar me të. Policia po punon për gjetjen e tyre.
Në një tjetër rast, specialistët e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe kanë proceduar penalisht:
- L. I., 40 vjeçe, për lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në banesë;
- N. Gj., 57 vjeç, banues në fshatin Vukël, për ndërtim pa leje;
- D. K., 21 vjeç, banues në Koplik, pasi dyshohet se ka dëmtuar një automjet të huaj (rulot) në pronësi të shtetases amerikane M. L., 46 vjeçe, duke prerë tubin e frenave.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme hetimore.
—


