ShkodraSot, ka siguruar foton e viktimës së tragjedisë së një dite më parë në lagjen Manush Alimani të Shkodrës. Bëhet fjalë për Hysni Ymerin, 67 vjeç, i cili u vra si pasojë e një shpërthimi të fortë, në hyrje të pallatit ku banonte.
Shpërthimi ndodhi pikërisht në momentin kur Ymeri po hynte në pallat, për t’u ngjitur drejt apartamentit të tij, në katin e katërt. Forcat e policisë dhe ekspertët anti-eksploziv kanë këqyrur vendin e ngjarjes për orë të tëra.
Hetimet në dy pista: atentat apo defekt teknik?
Edhe pas 24 orësh, ende nuk është përcaktuar nëse shpërthimi erdhi si rezultat i lëndës eksplozive të telekomanduar, apo nga paneli i matësve të energjisë elektrike. Derisa ekspertiza të përfundojë, hetuesit po punojnë paralelisht në të dyja pistat.
Kush ishte Hysni Ymeri?
Nëse ngjarja rezulton atentat, pista e gjakmarrjes po shqyrtohet me prioritet.
Në vitin 1995, në Kiras, vëllai i Hysni Ymerit vrau Shefqet Çekoren. Autori u arrestua dhe u dënua, ndërsa familjet, sipas burimeve, më vonë arritën një marrëveshje pajtimi.
Shefqet Çekorja ishte vëllai i Ismet Çekores, i cili u ekzekutua në shtator të vitit 2022, pranë banesës së tij,
Emri i fisit Ymeri është përmendur edhe më herët në kronikat e zeza:
- Një djalë i xhaxhait të viktimës vrau bashkëshorten e tij dhe më pas kreu vetëvrasje
- Në vitin 2017, kushëriri Dritan Ymeri vrau mjekun Ilir Aliaj, pas një konflikti për pronësinë. Ai dyshohet se ndodhet ende në arrati jashtë Shqipërisë
Forcat e policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tronditëse.


