Në qytetin e Shkodrës u zhvillua Konferenca Shkencore me temën “Njeriu i plakur”, një aktivitet që mblodhi mjekë specialistë, veçanërisht urologë, nga vende të ndryshme të Ballkanit dhe Europës.
Gjatë konferencës, profesionistët e shëndetit prezantuan teknikat më të avancuara dhe qasjet moderne në trajtimin e problemeve shëndetësore të moshës së tretë, me fokus të veçantë në sfidat që lidhen me plakjen dhe kujdesin afatgjatë për këtë kategori.
Eventi synon jo vetëm shkëmbimin e përvojave mes specialistëve të huaj dhe vendas, por edhe përmirësimin e praktikave klinike në vend, përmes aplikimit të risive mjekësore dhe protokolleve të standardizuara në trajtimin e pacientëve të moshuar.
Organizatorët vlerësuan pjesëmarrjen e gjerë dhe interesin e treguar, duke e konsideruar konferencën si një hap të rëndësishëm drejt rritjes së cilësisë së shërbimeve shëndetësore për të moshuarit në Shqipëri dhe rajon.