Shkodra po përjeton një valë të fortë tkurrjeje demografike, me një ritëm që është përshpejtuar ndjeshëm gjatë tre viteve të fundit. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Monitor, qarku i Shkodrës ka humbur rreth 5000 banorë nga viti 2023 deri në vitin 2025, duke shënuar rënien relative më të madhe në veri me mbi 3%.
Censi i vitit 2023 regjistroi në nivel kombëtar 2.4 milionë banorë, ndërsa në vitin 2024 kjo shifër ra në 2.39 milionë dhe parashikimi për vitin 2025 zbret në 2.36 milionë. Humbja totale në dy vite është rreth 38.800 persona. Edhe pse në shifra absolute kjo mund të duket e moderuar, ritmi i tkurrjes ka njohur rritje të ndjeshme: nga -0.5% në 2024 në -1.2% në 2025.
Në kontrast të plotë me këtë panoramë, Tirana është i vetmi qark që regjistron një rritje të lehtë të popullsisë. Kryeqyteti ka fituar rreth 1500 banorë në dy vite, duke u konsoliduar si qendra e emigracionit të brendshëm, ku të rinjtë dhe familjet largohen nga zonat rurale dhe qytetet e tjera për të kërkuar mundësi më të mira jetese dhe pune.
Rënia e ndjeshme në Shkodër është pjesë e një prirjeje më të gjerë që ka prekur edhe qarqet e tjera veriore si Kukësi, Dibra dhe Lezha, ku reduktimi i popullsisë varion nga 2,4% deri në 3%. Shkaqet lidhen me mungesën e investimeve, papunësinë, plakjen e popullsisë dhe mungesën e perspektivës për të rinjtë. Në shumë zona të Shkodrës janë mbyllur shkolla për shkak të mungesës së nxënësve, ndërsa shumë familje janë shpërngulur përfundimisht jashtë vendit.
Kjo zbrazje po e zhbalancon vendin në mënyrë të dukshme: Tirana përballet me presione të mëdha për shërbime publike, strehim dhe infrastrukturë, ndërsa qarqe si Shkodra po zhyten në një cikël të zgjatur plakjeje, pabarazie dhe varfërie.
#Monitor