Për herë të parë në Shqipëri u organizua Koncili Federal i Guidave dhe Skautëve të Europës organi më i lartë drejtues i kësaj organizate. Dita e dytë e aktivitetit u përmbyll në Shkodër, në Fshatin e Paqes në Tarabosh.
Ky takim ka mbledhur drejtues dhe anëtarë nga e gjithë Europa dhe tani për herë të parë edhe nga Amerika e Kanadaja për të diskutuar zhvillimin, programet dhe strategjitë e ardhshme të skautizmit dhe guidave.
Në fjalën e tij, Paul Ritchie, kryetar i Federatës së Skautistëve në Kanada u shpreh:
“Jam sot këtu, së bashku me vëllezërit dhe motrat e mi, për të planifikuar dhe organizuar të ardhmen e familjes sonë më të madhe FSC.
Skautizmi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për fëmijët tanë. Ai u ofron atyre mundësinë të rriten në miqësi, të marrin përgjegjësi dhe të thellojnë besimin e tyre katolik. Ai i mëson të ndihmojnë të afërmit e tyre jo sepse duhet, por sepse duan ta bëjnë këtë.
Përmes skautizmit, ata zbulojnë gëzimin e gatimit për njëri-tjetrin, të kujdesit për njëri-tjetrin, të argëtimit, të të qenit aktiv dhe të jetesës me një qëllim.
Sot, shumë të rinj ndihen të humbur pyesin veten: “Pse jam këtu? Cila është vlera ime?” Skautizmi ndihmon për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve.Ne u japim atyre mundësinë të mësojnë aftësi të reja emocionuese dhe të zhvillohen në mënyra që nuk i kishin imagjinuar kurrë.
Ashtu siç ndodh në Kanada apo në Francë, edhe ne përpiqemi t’i ndihmojmë fëmijët tanë të bëhen versioni më i mirë i vetes së tyre të jenë gati të kontribuojnë në shoqëri dhe të kuptojnë qëllimin e tyre në të, në vend që të ndihen të humbur brenda saj”.
“Unë jam Claire Desplaines. Vij nga Belgjika. Erdha në vitin 1997 për të ndërtuar kampe me të rinjtë në Shqipëri.
Gjeta një Shqipëri dhe të rinj shqiptarë që kishin nevojë për ndërtim në një vend që kishte vuajtur shumë.
Të rinjtë tanë sot janë ndërtuesit e së nesërmes. Mendoj se është thelbësore të ndërtojmë një vend” u shpreh Claire Desplaines nga Federata e Skautistëve në Begjikë .
Ndërsa Nathalie Flamma, Komisionerja Federale e Skautistëve në Europë vuri në dukje se:
“Ne jemi, ndër të tjera, 75,000 skautë dhe guida në mbarë botën, pra siç thashë, në Europë dhe Amerikë.Dhe mendoj se, për mua, rëndësia kryesore e skautizmit, të paktën e skautizmit tonë në botë, është se falë skautizmit, falë aventurave në natyrë, ne nuk shohim vetëm aftësitë e fëmijëve gjë që është e rëndësishme, sigurisht por përveç kësaj, luajmë me ta, sillemi si të krishterë, i besojmë fëmijëve të rinj, të cilëve sot u duhet besuar.
Dhe gjithashtu, një gjë shumë e rëndësishme, i largojmë ata nga telefonat e tyre. Ata shohin kaq shumë vlera të gabuara që përhapen përmes rrjeteve sociale, dhe ne thjesht i heqim nga telefonat, shkojmë në natyrë, luajmë me ta, ecim me ta, flasim me ta dhe i lëmë të rriten si të krishterë të mire”.
Ky koncil është një mundësi e rëndësishme për të promovuar vlerat e edukimit jashtëshkollor, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe zhvillimin personal të të rinjve përmes skautizmit, duke i përgatitur ata si qytetarë të përgjegjshëm dhe liderë të së ardhmes.


