Shoqata EKO Mendje në Shkodër ka shënuar 11-vjetorin e krijimit të saj, një nismë që nisi më 22 shtator 2013 me aktivitetin “Udhëto me biçikletë”, duke sjellë një risi për Shqipërinë e asaj kohe.
Gjatë këtyre 11 viteve, EKO Mendje ka organizuar 1180 aktivitete, prej të cilave 158 të dedikuara biçikletës, ku kanë marrë pjesë mbi 12.400 aktivistë të të gjitha moshave. Nëpërmjet tyre janë promovuar lëvizshmëria e qëndrueshme, dashuria për qytetin, udhëtimet në natyrë dhe ndërgjegjësimi për nevojën e korsive të biçikletave.
Shoqata ka organizuar protesta dhe fushata sensibilizuese në shkolla, kopshte e rrugë, ka vizatuar korsitë me mesazhe simbolike, si dhe ka promovuar zona turistike përmes hartave të posaçme, të cilat u kanë shërbyer vizitorëve vendas e të huaj.
Një tjetër dimension i rëndësishëm i punës së EKO Mendje ka qenë solidariteti: gjatë kësaj periudhe janë dhuruar 460 biçikleta për fëmijë në nevojë, kopshte, shtëpi fëmijësh, gra në fasoneri dhe familje të ushtarakëve.
Për veprimtarinë e saj, EKO Mendje është vlerësuar nga Ambasada Hollandeze, Suedeze, Franceze dhe Qendra e Informimit të BE-së, të cilat e kanë cilësuar si një prej faktorëve kryesorë në lëvizjen eko në vend.
“Prej kësaj nisme është krijuar një komunitet i bukur eko-bicikletash, ku shumë të rinj janë njohur, janë rritur profesionalisht dhe sot janë lider në fushat e tyre, duke mbetur gjithmonë shembull për qytetin dhe dashurinë për EKO Mendjen”, – u shpreh drejtuesi i shoqatës, Mirsad Basha, me rastin e 11-vjetorit.



