Shqiptaret,te fundit ne europe per kursime. Nuk kursejme dot as sa Moldavet…

Vetëm 14.8% e shqiptarëve mbi 15 vjeç kishin mundur të kursejnë nga të ardhurat e tyre në një bankë apo në ndonjë institucion tjetër financiar, niveli më i ulët në Europë pas Moldavisë. Të dhënat vijnë nga baza globale Findex e Bankës Botërore dhe i përkasin një ankete të zhvilluar në vitin 2024 në Shqipëri.

Shqipëria ka një nivel shumë të ulët të popullsisë që arrin të kursejë, si në raport me Rajonin ashtu edhe me Europën. Sipas hartës krahasuese, ngjyrat më të errëta tregojnë nivele më të larta të kursimeve, ndërsa ngjyrat e çelura sinjalizojnë përdorim më të ulët të tyre.

Maqedoninë e Veriut, 32.4% e popullatës mbi 15 vjeç kishte arritur të kursente vitin e kaluar, gati dyfishi i Shqipërisë. Në Serbi, mbi 26% e popullsisë mbi 15 vjeç arriti të kursejë, në Bosnjë 24% dhe në Kosovë rreth 16%.

Gjithashtu, aftësia e shqiptarëve për të kursyer ishte shumë më e ulët se në Bashkimin Europian, ku mbi 55% e popullsisë arriti të ndajë para mënjanë për t’i shpenzuar më vonë.

Shqipëria pozicionohet në të njëjtin grup me shumicën e vendeve të Afrikës dhe Azisë së Jugut. Edhe pse ka një përmirësim të dukshëm të ndërgjegjësimit financiar dhe rritje të aksesit në shërbime bankare gjatë dekadës së fundit, vendi ynë vazhdon të ketë një nivel të lartë përdorimi të parasë cash dhe një prani të konsiderueshme të sektorit informal.

Të dhënat më të detajuara tregojnë se 40% e popullsisë në nivelin më të ulët të të ardhurave kanë kapacitete shumë të kufizuara për të kursyer, pasi vetëm 4.3% e tyre arritën të ndanin kursime në bankë. Ndërsa për 60% e popullsisë me të ardhura më të larta, aftësia për të kursyer ishte 21.7%.

Në grupmoshat e reja, aftësia për të kursyer është shumë e ulët. Po ashtu, banorët e zonave rurale arrijnë të kursejnë dukshëm më pak krahasuar me ata të zonave urbane.

Shumica e familjeve shqiptare përballen me të ardhura të ulëta dhe paga që nuk janë në përputhje me koston e jetesës. Për shumë qytetarë, të ardhurat shpesh nuk mjaftojnë për ushqim, qira, energji dhe nevojat bazë, duke mos lënë pothuajse asgjë për kursime.

Ndërkohë, çmimet e shumë produkteve dhe shërbimeve janë rritur më shpejt sesa të ardhurat. Shqipëria kishte çmime më të larta se Rajoni dhe BE për ushqimet në vitin 2024, ndërsa pagat mbeten dukshëm më të ulëta.

Inflacioni i viteve të fundit ka ulur fuqinë blerëse dhe ka bërë që edhe ata që më parë arrinin të kursenin, tashmë ta kenë shumë më të vështirë.
/monitor/

Home » Aktualitet » Shqiptaret,te fundit ne europe per kursime. Nuk kursejme dot as sa Moldavet…

Lajme te tjera

error: Content is protected !!