FLAMURI KOMBËTAR, SIMBOLI MË I SHEJTË DHE MË I RESPEKTUAR I SHKODRANËVE
Nga Zenepe Dibra, studiuese
Flamuri i shek. XV i kombit tonë me shqiponjën dykrenëshe u ruajt në vazhdimësi vetëm tek shqiptarët. Në Evropë asnjë flamur nacional nuk ka vazhdimësi në pesë shekuj, prandaj flamuri kombëtar shqiptar renditet si flamuri më i vjetër në Evropë. Duke marrë parasysh se simboli kultik i shqiponjës dykrenëshe është pjesë e kulturës shpirtërore e materiale të ilirëve e në vazhdimësi deri në ditët tona, mendohet që simboli i flamurit më të lashtë në Evropë dhe nga më të lashtët në botë, është flamuri shqiptar. Shqiponja dykrerëshe është përdorur, si simbol pushteti dhe dokumentohet se është përdorur për herë të parë nga perandori ilir Kostandin dhe më pas u bë traditë vendase në të gjithë Ballkanin. U përdor edhe nga Skënderbeu, për të treguar se ishte përfaqësues i sundimit paraosman. Shqiponja është konsideruar si bashkudhëtare e perëndive dhe vetë perëndi. Në hapësirën shkodrane ky simbol, si përfaqësues i etnitetit, dinjitetit, historisë dhe traditës, është respektuar, ruajtur dhe përfaqësuar deri në art, piktura, punimet artizanale, në qëndisitë, armët, çiftelitë, muret, etj. Tek xhubleta, si veshja tradicionale më e vjetër e malësoreve të veriut ka shumë elemente të shqiponjës; tek qylymat tradicionalë të hapësirës shkodrane elementi i shqiponjës me dy krerë është thurur pothuajse në çdo punim, dhe ka mbetur traditë.
*Për nga koha dhe vjetërsia e tyre, si flamur më i vjetër është ai i Plavës dhe Gucisë i përdorur që në v. 1881. Në një pergjigje që një kryekomandant i jep sulltanit, nga një ferman i dërguar prej tij, për të ditur se a ka ndonjë flamur në betejë, thuhet: “Gjatë luftës që ka bërë Lidhja Shqiptare e Prizrenit për mbrojtjen e Plavës, Gucisë, Hotit dhe Grudës ka patur nga çetat luftarake flamuj shqiptar të kohës së Skënderbeut, por nuk kanë qenë shumë, rreth 20 apo 30.”
- Një dëshmi tepër domethënëse është ajo e Nuda Luzit nga Shkodra, ku nga kujtimet e tij veçojmë: -“Në vitin 1897 kam shkuar në Gravozë dhe kam marrë 50 flamuj të Shqipërisë të shtypur në kartolina dhe ja u kam ndarë atdhetarëve shqiptarë. Këto kartolina u mbajtën për vite të tëra në Shkodër, me shpalljen e Hyrietit dhe me fillimin e lëvizjeve shqiptare kundra pushtimit osman, autoritetet më burgosën për shkak se përhapa kartolinat me flamur”. Po kështu evidentohen flamujt e Gjeto Çokut nga Kryeziu, Marash Ndou nga Shala, së fundi përmendim faktin që në mars të vitit 1909, kur Malësia e Madhe filloi luftën kundër hordhive Turke, kryengritësit shqiptarë kishin në krye të formacioneve të tyre Flamurin e Kastriotit
*Historiani At Marin Sirdani, autor i shumë veprave, njohësi ma i mirë i gojëdhanave mbi Skanderbeun, ka shkruar për Flamurin Kombëtar, duke treguar se “Shpia e Çefës së Hajmelit, tyfekçi djalë mbas djalit për firmë nder çarqe e brisq ka nji shqype me dy krena (përbrenda çarku me nji krye, perjashta me dy krena), e thonë se ia u ka lanë i pari “. Dokumentimi i flamurit kombëtar në pushkët e Çefajve, tregon se populli i thjeshtë ka respektuar flamurin e Kastriotit- Më 6 prill v. të 1911, në betejën e përgjakshme të Deçiçit për herë të parë në historinë e Shqipërisë, që do t i paraprinte ngritjes së flamurit në Vlorë më 1912, flamuri shqiptar, ngrihet në majën e Bratilës, nga Nik Gjelosh Luli, Gjon Ujk Miculi dhe Pjetër Zefi.
At Donat Kurti do të shkruante në “Hyllin e Dritës”, 1932/11: ….”Kur shpërtheu kryengritja e Hotit dhe Grudës kundra zotnuesve të 500 vjetëve, shumë nga malsorët kishin flamuj të vegjël komtarë e i barshin me vedi të njeshun për brez, ja të paluem në gji. Luftëtarët e atyne të ndeshuna në shej dëshmoshin se flamuri komtar qe ngrehë tinzisht në shumë vend përballë anmikut”… .
*Përveç Deçiçit, ku për herë të parë në historinë e Shqipërisë bëhet ngritja e flamurit, ai është ngritur në Shkodër, në përvjetorin e parë të pavarësisë, më 28 nëntor 1913,kurse në Kala të Shkodrës është ngritur tre herë: më 13.06.1913, ku hiqet flamuri malazes dhe vihet ai shqiptar, më 19 mars 1914, kur valëvitet krahas flamujve të Fuqive të Mëdha, dhe më 1916 nga austriakët.
Veçanarisht festiv ka qenë ngritja e flamurit më 19 mars 1914, ku moren pjesë një numër i madh njerëzish nga hapësira shkodrane. Ky tubim u bë sepse deri atëherë në Kalanë e Shkodrës valëviteshin pesë flamujt e Fuqive të Mëdha Anglisë, Austrisë, Italisë, Francës dhe Gjermanisë dhe mungonte flamuri shqiptar.
Flamuri i palosur iu dorëzua kryetarit të bashkisë, Muharrem Gjylbegut, prej kryesekretarit Zef Kodheli. Kryetari e shpalos dhe ja jep guvernatorit dhe të dy së bashku e ngrehen në ajër, duke bërë kështu valëvitjen e tij përkrah flamujve të Fuqive të Mëdha. Në këtë tubim folën Hafiz Ymer Guta nga Gjakova i cili përmalloi masën e njerëzve që krahas gëzimit që ai ndjente për ngritjen e këtij flamuri shprehi keqardhjen për Kosoven ku po vajtonte qyqja nën sundimin serb. Pastaj fjala e Imzot Vinçenc Prennushit la një përshtypje shumë mbresëlënëse në popullin e Shkodrës. Ringritja e flamurit shqiptar në kalanë e Rozafës, në mars 1914, u përshëndet me 101 të shtëna topi të vendosur në kodrat e Tepes.
*Sipas biografit të Shtjefen Gjeçovit, Ruzhdi Mata, në Kalanë e Dejës në ditët e fundit të shkurtit të 1913, Shtjefen Gjeçovi ngriti flamurin shqiptar, përpara popullit të mbledhur në Lugun e Shën Markut, pranë kishës shekullore, rrëzë kalasë historike të Danjës së moçme.
*Në revistën “Hylli i dritës” nr. 11 i vitit 1937, me titull ”Flamuri Kombëtar në Shkodër”, ndër të tjera shkruhet ” s’është për t’u harruar se në këtë kohë shpërndajnë flamujt kombëtar ndër malsorë, Pjetër Nushi e Kolë Ivanaj, e më vonë Karl Prendushi, Zef Kurti, Luigj Kodeli, Simon Prendi, Hiluk Koleci, Palok Traboini”
Në artikullin “Flamuri kombëtar në krahinën e Shkodrës” , botuar në këtë revistë, viti XIII, në mes të tjerave shkruhet: “Më 16 maj 1922, një çetë djelmsh të rinj prej Shkodre, ndër të cilët Zefi i Palok Kurtit, Pjetri i Shan Dedës, Luigj Kodeli, Cuku i Lazrit të Dinos, Keli i Cin Jakovës, Zef Dajçi, Gjovalin Daragjati, Mëhill Nika, Gjergj Kerri, Ndrek Vuksani e ndonjë tjetër, iken prej qytetit e duelen në Bardhej ku ngrehen më gëzim të madh flamurin kombëtar…”
*Në qëndër të emblemës të “Klubit Gjuha shqipe” (1908-1914) ndodhet një mburojë, në pjesën e kuqe të së cilës është shkruar me ngjyrë të zezë “Rrnoftë gjuha Shqype”. Në të dy krahët e mburojës janë vendosur dy flamuj kuq e zi, gjë që vërteton edhe njëherë njohjen dhe ekzistencën e flamurit të para vitit 1912.
*Nisur nga orientimi që Luigj Gurakuqi kishte porositur dhe orientuar që jo vetëm në jug por edhe në Shkodër vajzat dhe gratë duhet të qëndisin flamuj, një flamur ka qëndisur edhe veterania patriote, Bernardina Marubi (Harapi) me këshillen e babait të saj, patriotit Kel Marubi. Plani i ngritjes së flamurit dështoi sepse atë kishte vendosur ta ngrinte Hasan Riza Pasha i cili u vra trathëtisht nga Esat Pashë Toptani.
*Në një kronikë lufte të vitit 1912 të gazetarit italjan Gino Berri, kur malazezët sulmojnë Shkodrën, shkruhej: “Nepër shtëpi gratë dhe vajzat punojnë me ngulm duke prerë dhe qepur copa të kuqe mbi të cilat vendoset shqiponja e madhe me dy krerë, emblema e Skënderbeut, Heroit kombëtar shqiptar. Të gjitha këto përgatitje kryhen me ilegalitet për shumë kohë,”
*Një nga veprimet atdhetare që bëri familja Daragjati është edhe thirrja e bërë në v. 1911, që …”kush është burrë me dalë me flamur shqiptar nga liqeni deri në derdhjen e Bunës, i falet anija”. Pas kësaj thirrje dolën 3 ulqinakë dhe 1 shkodran të cilët dolën me një flamur kuq e zi në itinerarin e kërkuar duke përfituar edhe anijen dhe duke shënuar edhe anijen e parë që lundroi me flamur kuq e zi.
*Anijet e para të lundrimit në detra me flamur shqiptar janë ato shkodrane. Sipas Rrok Zojzit, në botimin e tij “Tradita detare e popullit shqiptar” jep se anija e parë që valvit flamurin e shtetit të ri të Shqipërisë në shtator të 1913, drejtohej nga kapiteni shkodran Zef Llupi Melgushi i cili transportonte bote bosh, mbeturina metali dhe shqepe. Por të dhënat e fundit dokumentojnë se një italian nga Trieste, Paolo Muner, në librin e tij “Një histori shkodrane”, tregon se tre muaj përpara Zef Llupit, anija e parë me flamur shqiptar ishte “Bojana” e bregëzuar në portin e Grevozës (port në Budva) më 14 qershor 1913.
*Dom Nikoll-Noga Tusha së bashku më Caf beg Ulqinin dhe një grup burrash të zgjedhur nga Shestani në vitin 1940, organizuan ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar, në vendin e quajtur në Ujtmirë (Dobrovodë) afër Tivarit, tek Ulliri i vjetër. Ngritja e flamurit ishte shenj përcaktimi të ri të kufirit në mes Jugosllavisë dhe shtetit shqiptar. Një vit më vonë, më 14. qershor 1941 (ditën e Korbit të Krishtit) , nën udhehëqjen e Dom Nikollës, Dom Ivo Belas, famullitarit të Trijepshit, Caf beg Ulqinit dhe aktivistëve të tjerë, më pjesëmarrjen e rreth 5.000 burrave malësorë pa dallim feje, nga Ulqini me rrethina (Shestani, Kraja, Ana e Malit, shën Gjergji, Bratica etj. ) u ngritë Flamuri shqiptar në Kompanjelin e kishës së Ulqinit. Në këtë ngritje morën pjesë edhe hoxh Llunja, Elez Lama, Kolë Lucë Noja, Rrok Shkreli, Dedë Gjon Nikë Delija nga Zogajt etj.
*Padër Gjergj Fishta më 1913 ka shkruar “Hymnin kombëtar të flamurit”. Këtë himn, kushtuar Flamurit Kombëtar, poeti e shkroi me rastin e ngritjes së Flamurit, natën e Shna Ndout, më 12 qershor 1913, në kumbonaren e kishës françeskane të Gjuhadolit. Muziken e këtij hymni e ka kompozuar Lec Kurti.- Një poezi e jashtëzakonshme e Vinçens Prendushit, tregon dashurinë dhe flijimin e një vajze shqiptare për atdhe e për flamur, gjatë qëndisjes së flamurit,
Bibliografi: Jaho Brahaj “Flamuri i Kombit Shqiptar; origjina, lashtësia”, Tiranë, 2012; Jaho Brahaj “Shtjefen Gjeçovi dhe Flamuri kombëtar”, 2012; At Donat Kurti, “Hylli i Dritës”, 1932/11; Hylli i Dritës “Flamuri kombëtar në krahinën e Shkodrës” nr. 11 i vitit 1937, Romeo Gurakuqi “Shqipëria 1911-1914”, Tiranë; Zenepe Dibra “Bijat e Rozafës”, Shkodër, 2004; Të dhëna nga Kolec Çefa;
1.Foto Marubi: Dëshmia e flamurit shqiptar e vitit 1893 në familjen shkodrane të Hil Shirokës në Shirokë. Në pjesën e sipërme të derës është edhe një foto e pikturës së Skënderbeut
- Flamuri i qëndisur nga Benardina Marubi
- Qëndisja e flamurit shqiptar nga vajzat e lagjes “Rus i vogel”, të organizuara nga Dom Zef Shestani, Shkodër, 1944
- Flamuri që Dom Loro Caka më 28 Nëntor të vitit 1912, e ngriti mbi kompanjelin e kishës në Mazrrek njëkohësisht me ngritjen e flamurit në Vlorë. Ky flamur ndodhet në Muzeun
Kombëtar. (Sjellur në FB Lodovik Zefi) - Flamuri që është ngritur në Kalanë e Shkodrës më v. 1914. Ndodhet në Muzeun e Kalasë së Shkodrës;
- Ngritja e Flamurit Shqiptar në Kalanë e Shkodrës më 19.03.1914
- Jelek gruaje qëndisur me tertil ari ku në çdo kind është qëndisur shqiponja, nga familja e Sokolëve (Sot, arkiv i Gjon Dugilaj në hotel restorant “Tradita”)
- Flamuri i Klubit Gjuha Shqipe;
- Flamuri i qëndisur me përkrenaren e Skënderbeut në familjen Suma (Koletë Suma), vendosur në kornizë. Punimi është punë mbushje nga Belkize (Tela) Zadrima
- Aksesor xhublete me shqiponjën
- Tatuazhe me motive patriotike të malësorëve












