Një vendim i ndërmarrjes Ujësjellës-Kanalizime Shkodër për të mbyllur çezmën e vetme publike në fshatin Berdicë ka shkaktuar shqetësim të madh në zonën e Nënshkodrës, ku banorët prej më shumë se 20 vitesh jetojnë pa furnizim të rregullt me ujë të pijshëm.
Sipas informacioneve, çezma e mbyllur ishte i vetmi burim uji për të gjithë fshatin, nga ku furnizoheshin dhjetëra familje. Mbyllja e saj ka përkeqësuar ndjeshëm situatën, duke i lënë banorët pa asnjë alternativë për furnizim me ujë të pijshëm.
Derimë tani, asnjë institucion nuk ka dhënë një reagim zyrtar lidhur me vendimin apo me arsyet që çuan në ndërprerjen e furnizimit. Mungesa e transparencës ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku qytetarët e kanë quajtur këtë një “skandal institucional” dhe shkelje të të drejtave bazë të njeriut.
Zona e Nënshkodrës prej më shumë se dy dekadash përballet me mungesë kronike të ujit të pijshëm, ndërsa investimet në rrjetin e ujësjellësit kanë qenë minimale.
Ekspertët paralajmërojnë se situata mund të kthehet në emergjencë shëndetësore, nëse institucionet nuk ndërhyjnë menjëherë për të rikthyer furnizimin dhe për të garantuar aksesin në ujë të sigurt për komunitetin lokal.


