Projektbuxheti 2026: Mbetjet e disa bashkive pritet të transportohen drejt zonës së menaxhimit ne Bushat
Në projektbuxhetin e vitit 2026, qeveria ka parashikuar një fond prej 1 miliard lekësh që do t’u shpërndahet bashkive në shkallë vendi për menaxhimin e mbetjeve urbane, përmes një transferte të pakushtëzuar sektoriale.
Ky është viti i parë që financimi për këtë qëllim formalizohet si pjesë e mekanizmave fiskalë që mbështesin pushtetin vendor, me synim përmirësimin e grumbullimit, transportit dhe trajtimit të mbetjeve në të gjitha zonat e menaxhimit.
Sipas Aneksit 8 të projektbuxhetit 2026, ndarja e fondeve është bërë në bazë të sasisë vjetore të mbetjeve që prodhojnë njësitë vendore dhe kostove shtesë të transportit drejt pikave fundore të grumbullimit dhe përpunimit.
Në dokument përcaktohet se bashkitë Malësi e Madhe, Shkodër, Vau i Dejës, Pukë, Fushë-Arrëz, Lezhë dhe Kurbin do të financohen për transportin e mbetjeve drejt zonës së menaxhimit ne Bushat, qarku Shkodër.
Në të njëjtin aneks thuhet gjithashtu se bashkitë Librazhd, Elbasan, Rrogozhinë, Peqin, Cërrik, Belsh, Prrenjas dhe Gramsh, si dhe bashkitë Fier, Lushnjë, Roskovec, Patos, Divjakë dhe Mallakastër, do t’i dërgojnë mbetjet për trajtim në zonën e menaxhimit Shkodër.

Në dokument nuk sqarohet nëse kjo është një gabim teknik apo një riorientim i qëllimshëm në kuadër të strategjisë së re të menaxhimit rajonal të mbetjeve. Nëse miratohet sipas këtyre specifikimeve, Shkodra do të shërbejë si qendër rajonale për trajtimin e mbetjeve për disa bashki të tjera jashtë qarkut të saj.
Ky ndryshim vjen pas disa vitesh problematikash me inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit, për të cilët buxheti i shtetit ka paguar rreth 4.75 miliardë lekë për vepra që nuk u përfunduan kurrë.


Projektbuxheti 2026 duket të sinjalizojë një ndryshim të qasjes qeveritare ndaj menaxhimit të mbetjeve, duke kaluar nga modeli i inceneratorëve në një model të trajtimeve rajonale, ku bashkitë do të kontribuojnë dhe do të përdorin qendra të përbashkëta për grumbullimin dhe përpunimin e tyre.


