TE MOS I HUMBIM VLERAT HISTORIKE TE QYTETIT TE SHKODRES
“Tradita nuk është të adhurosh hirin por të mbash gjallë zjarrin”
Gustav Mahler – kompozitor
“Hapi i parë në likuidimin e një populli është të fshini kujtesën e tij. Shkatërroni librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëherë vini dikë të shkruaj libra të rinj, të krijojë një kulturë të re, të shpikë një histori të re. Para se të kalojë shumë kohë, kombi do të harrojë çfarë është dhe çfarë ishte.”
Milan Kundera – novelist
NDËRTESA KU U KRIJUA SHOQËRIA “BASHKIMI” DHE VILA E TEF CURANIT
Kjo vilë ka dy rëndësi historike:
- Aty u krijua shoqëria “Bashkimi”.
- Më vonë aty jetoi Familja Curani që, duke e kthyer në një vilë moderne, e bëri një institucion dinjitoz, si lloj konsullate, të pritjes e përcjelljes së shumë personaliteteve të vendit dhe të huaja.
Shoqëria “Bashkimi” ishte shoqëri gjuhësore–letrare e themeluar në Shkodër, në janar të vitit 1899, me nismën e abatit të Mirditës Imzot Prend Doçi. Bashkëpunuan për themelimin e saj edhe At Gjergj Fishta, Dom Ndoc Nikaj, Luigj Gurakuqi, Imzot Dodë Koleci, Imzot Jak Serreqi etj. Një ndër ithtarët dhe përkrahësit e kësaj shoqërie qe edhe Faik Konica.
Puna e parë e kësaj shoqërie qe hartimi i një alfabeti të shqipes me shkronja latine, në të cilin disa tinguj – fonema paraqiteshin me dyshkronjësha. Ky alfabet u përdor nga disa organe dhe shkrimtarë të dëgjuar të kohës.
Shoqëria “Bashkimi” botoi 32 libra, ndër të cilët tekste shkollore (abetare, gramatikë, libra leximi, historie, aritmetike), libra letrarë dhe libra fetarë për shkollat katolike. Botoi edhe një fjalor shqip-italisht, “Fjaluer i ri i shqypes përbam prei shoqnijet ‘Bashkimi’” (Shkodër, 1908), me 13.798 fjalë (përfshi dhe shtesat).
Në Kongresin e Manastirit (1908), Shoqëria “Bashkimi” dërgoi si përfaqësues Gjergj Fishtën (që u zgjodh edhe Kryetar i Komisionit për hartimin e alfabetit) dhe Luigj Gurakuqin. Kjo shoqëri dha ndihmesë të vyer për kulturën shqiptare, duke ndikuar në zhvillimin e gjuhës, të letërsisë dhe të arsimit në gjuhën shqipe.
VILA E TEFË CURANIT
Vila e Tefë Curanit, ish-shtëpia e Abatit të Mirditës Preng Doçi (shpallur sot Monument Kulture), ka patur relike të jashtëzakonshme.
Tef Curani (1865–1941) ishte ekonomist, diplomat dhe funksionar i lartë i shtetit. Ai ishte patriot, përfaqësues i denjë i shtetit shqiptar. Gjatë viteve 1923–1938 ka qenë konsull nderi i Austrisë në Shqipëri.
Më 1898 botoi librin “T’nollnat e Shqypnis” me pseudonimin “Nji gegë që e don vendin e vet”. Libri, që mendohet të jetë një përshtatje në gjuhën shqipe e një dorëshkrimi të Ludwig Thalloczy (Taloçi), është e para histori e Shqipërisë, që nga lashtësia deri në kohën e re, e botuar në gjuhën shqipe. Libri u botua tri herë dhe afro 1/5 e vëllimit i kushtohet drejtpërdrejt jetës dhe veprës së Skënderbeut.
Për këtë arsye, në vilën që për kohën ishte ndër më modernet në Shkodër, në ballë të sallonit ishte vendosur portreti i Skënderbeut. Jo vetëm kaq, por ai mbante në këtë vilë edhe përkrenaren e Skënderbeut, me të cilën shumë vizitorë bënin fotografi.
Vila kishte një arredim perëndimor dhe ishte në stil barok, krejt ndryshe nga shtëpitë e kohës. Aty ruhej një karrige e Abatit, e cila sot ruhet nga familja Curani në Itali. Karrigia ishte një lloj froni që mbante Abati për shkak të detyrës së tij.
Curanët kishin koleksion armësh e shpatash, të cilat u morën dhe u dërguan në Gjirokastër nga shteti komunist. Poltronat e shtëpisë, që kishte dy sallone – një për personalitetet që priste konsulli dhe një për miqtë – ishin të kohës së Luigjit të XVI. Muret ishin të veshura me letër damask dhe të pikturuara.
Vila vizitohej rregullisht nga diplomatët e huaj, pasi shërbente edhe si një “lloj” konsullate. Në shtëpi nuk mungonin fisnikë austro-hungarezë, klerikë të rangjeve të ndryshme, ambasadorë, qeveritarë dhe familje në zë, miq të Tefës dhe të birit të tij Albertit, i cili ishte shkolluar në Theresianum të Vjenës dhe më pas në Bocconi të Milanos.
APEL
Sot shtrohet detyra që nga institucionet shtetërore lokale dhe qendrore, ky monument të rikonstruktohet dhe të kthehet në një muze të Shkodrës, për rëndësinë e madhe historike që mban. Mos të na ikë kjo vepër, sepse nga pakujdesia u prishën shumë banesa monument kulture, si ajo e Luigj Gurakuqit, Daut Boriçit etj., dhe po na mbetet shumë pak trashëgimi nga kultura jonë.
Figurat:
Fig. 1 – Shtëpia e Abatit të Mirditës Preng Doçi, e blerë më vonë nga Stefë Curani. Ajo sot ekziston, por është në gjendje shumë të rënduar dhe ka nevojë për një rikonstruksion të thellë.
Fig. 2 – Shoqëria “Bashkimi”.
Fig. 3 – Stefani Curani në dhomën e pritjes së vilës së Curanëve.
Fig. 4 – Dy motrat Stefani dhe Silvia Curani, bijat e Stefë Curanit, në sallonin e vilës së tyre. Në ballë shihet basorelievi i Skënderbeut.
Fig. 5 – Stefani Curani me prindërit e saj Stefë dhe Marija (Steiner) Curani me kostum kombëtar dhe përkrenaren e Skënderbeut.







